Ballina Aktualitet

Ristani: Afera e portit të Durrësit, zhvatje e pasurive publike

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Ristani deklaroi sot se, “megaafera e portit të Durrësit ka vetëm një qëllim, vjedhjen”.

“Edi Rama i është rikthyer megaaferës së projektit të Portit të Durrësit, duke dëshmuar se askush nuk mund t’ia ndalë dorën në vesin e vjedhjes”, u shpreh ai në një deklaratë për mediet nga selia e PD.

“Megaafera e portit të Durrësit ka kaluar në tri faza: Në fillim u paraqit si një investim strategjik i kompanisë së famshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emmar”. Më pas, u fol për një tërheqje të Emaar-it dhe, në fund, u prezantua një kompani tjetër, kësaj radhe offshore, e arabit Muhamed el Alabbar”, theksoi Ristani.

“E vetmja gjë strategjike e këtij investimi, është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë”, shtoi ai.

“Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar. Fakti është, se rreth 1 milion metra katrorë i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliardë dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi”, tha Ristani.

“Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë. Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE”, nënvizoi ai.

“Ne i bëjmë thirrje kompanisë, cilado qoftë ajo, online apo offshore, që të tërhiqet nga ky projekt abuziv dhe korruptiv. Qeveritë e një vendi janë të përkohshme, ndërsa interesat strategjike, prona publike, interesi kombëtar janë të përjetshëm”, theksoi Ristani.

“U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë. Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes. Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shtetit shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit”, përfundoi Ristani.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Vijon aksioni i pastrimit të territorit në Patos
Artikulli tjetërThatësira u privon francezëve llojshmërinë e… djathrave!