STAMBOLL, 9 gusht /ATSH – DPA/ – Turqia do të nisë sot një anije tjetër shpimi në Detin Mesdhe, bëri të ditur agjencia e lajmeve “Anadoly Ajans”.
Misioni i anijes së re “Abdülhamid Han” rrezikon të rindezë mosmarrëveshjet me Greqinë lidhur me të drejtat e shfrytëzimit të gazit.
Vendet partnere në NATO, Greqia dhe Turqia kanë prej kohësh mosmarrëveshje lidhur me të drejtën mbi rezervat dhe burimet e gazit në Mesdheun lindor.
Athina akuzon Ankaranë për kërkime të paligjshme për gaz në ujërat e ishujve grekë. Qeveria turke hedh poshtë akuzat dhe deklaron se kërkimi i gazit është i ligjshëm. Një konflikt i ngjashëm ekziston edhe me Qipron.
Në vitin 2020, mosmarrëveshjet u përshkallëzuan pasi Turqia dërgoi anijen e saj “Oruç Reis” në Mesdheun lindor për një mision një-mujor kërkimi për gaz.
Greqia e dënoi me forcë misionin e kërkimit për gaz dhe u riarmatos masivisht si kundërpërgjigje ndaj Turqisë.
/u.sh/






















