TIRANË, 8 gusht /ATSH-I.Vata/ Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Dorjan Teliti ka reaguar sot në lidhje me rritjen e çmimeve të shportës.
Duke iu referuar statistikave të publikuar nga INSTAT, Teliti u shpreh se çmimet marramendëse janë në nivele rekord, jetesa është shtrenjtuar, varfëria po përhapet gjithnjë e më shumë, kostot e jetesës dhe të bërit biznes po rriten dita-ditës.
“Sot, vetë INSTAT-i i qeverisë zyrtarizon çmimet e rritura të mallrave të shportës bazë dhe kostove të transportit: vaji +30.6%, buka +20%, qumësht, djathë dhe vezë +18.2%, zarzavatet +9.5%, mishi +9.1%, transporti +19.7%. Ndërkohë që të gjithë luten dhe presin një reagim dhe masa konkrete ndaj krizës që ka kapluar ekonominë, qeveria hesht, nuk shpall një paketë serioze antikrizë dhe vazhdon të braktisë ekonominë, duke lënë në mëshirë të fatit qindra-mijëra shqiptarë e dhjetëra-mijëra biznese në prag falimenti”, u shpreh Teliti.
/j.p/r.e/













