TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Policia kufitare e Sarandës bllokoi mbrëmjen e djeshme 3 mjete të tjera lundruese, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik.
Sipas policisë, gjatë 2 muajve të fundit janë bllokuar 29 mjete lundruese, konkretisht 14 skafe dhe 15 “Jet ski”.
Policia ka ndëshkuar me masë administrative pronarët e 3 mjeteve lundruese “Jet ski”, të bllokuara mbrëmjen e djeshme, të cilët kryen manovra të rrezikshme, duke rrezikuar jetën e pushuesve, në plazhin e quajtur “Gjiri i Lapajve”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, duke marrë shkas dhe nga pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqeshin disa shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese në det, duke rrezikuar pushuesit, kanë bërë të mundur lokalizimin e 3 mjeteve lundruese “Jet ski”.
“Pas lokalizimit të tyre u ndëshkua me masë administrative 10.000 lekë të rinj, shtetasi R. H., 24 vjeç, banues në Sarandë, pronar i një mjeti lundrues dhe me masë administrative 20.000 lekë të rinj, shtetasi R.Ç., 21 vjeç, banues në Sarandë, pronar i dy mjeteve lundruese (10.000 lekë për secilin mjet)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia informon se, gjithashtu u bë bllokimi i të tre mjeteve lundruese “Jet ski”, me të cilat u kryen manovra të rrezikshme në plazh, pasi gjatë kontrollit kanë rezultuar pa dokumentacionin përkatës në bord.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në aplikacionin Komisariati Digjital, ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.
/k.s/r.e/























