Ballina Flash

Begaj-Osmanit: Sovraniteti i Kosovës mbetet i pacenueshëm

TIRANË, 1 gusht /ATSH-I.Vata/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin për shtyp të Presidencës bëhet e ditur se Kreu i Shtetit ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Kosovës.

Gjatë bisedës me homologen e Kosovës, Presidenti përshëndeti vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.

Kreu i Shtetit nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti i Republikës nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm.

Presidenti i Republikës tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, – nënvizoi presidenti Begaj gjatë bisedës telefonike me presidenten Osmani.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Turqia: Problemi global i ushqimit nxit migrimin
Artikulli tjetërSanchez: Nuk mund të konceptohet BE pa Ballkanin Perëndimor