KINË, 31 korrik /ATSH-DPA/- Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) në sektorin e prodhimit të Kinës shënoi një rënie në vetëm 49 pikë përqindje në korrik nga 50,2 muajin e kaluar, njoftoi sot Byroja Kombëtare e Statistikave në Pekin.
Barometri i rëndësishëm ekonomik shkoi nën pragun kritik prej 50 pikësh, duke treguar një rënie të aktivitetit industrial në Kinë. Ekspertët kishin parashikuar një vlerë prej mbi 50 pikë, të ngjashme me muajin e kaluar.
Politika zero-Covid e Pekinit po pengon rritjen ekonomike duke synuar çdo shpërthim të virusit me masa izoluese të rrepta. Disa nga qytetet më të mëdha të Kinës janë përballur me kufizime të ashpra, veçanërisht këtë pranverë në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit shumë infektiv, Omicron.
Në Shanghai u vendosën masa izoluese të rrepta në prill dhe maj, duke bërë që porti i tij, një qendër kryesore e transportit detar për importet dhe eksportet kineze, të reduktonte operacionet e tij.
Ekonomia e Kinës shënoi një rënie të ndjeshme në tremujorin e dytë të 2022 krahasuar me një vit më parë me vetëm 0,4%, tremujori më i dobët që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.
PBB-ja u rrit me 4,8% në tremujorin e parë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit ekonomia shenoi nje rritje prej 2,5%.
Qeveria kineze kishte parashikuar një rritje prej 5,5% këtë vit, por kjo duket gjithnjë e më pak realiste. Ekspertët presin një rritje prej rreth 4% mes kufizimeve të Covid-19 dhe krizës së vazhdueshme të pasurive të paluajtshme në vend.//a.i/






















