Ballina Aktualitet

Mitsotakis: Greqia, mbështetëse e fortë e perspektivës evropiane

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Kryeministri i Republikës së Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dha sot një videomesazh për koncertin festiv në sheshin “Skënderbej”.

“I dashur kryeministër, i dashur Edi! Të dashur qytetarë të Shqipërisë fqinje! Jam i lumtur që marr pjesë në festimet për Konferencën e parë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo është një ngjarje me rëndësi të madhe për vendin tuaj, për rajonin dhe për familjen evropiane. Prandaj urime të gjithëve për këtë arritje të madhe që është një hap i madh në përmbushjen e aspiratave tuaja për të qenë pjesë e Bashkimit tonë Europian”, tha Mitsotakis.

“Sot ne gëzojmë me ju, sepse besojmë që e keni merituar. Greqia ka qenë një mbështetës i fortë i perspektivës evropiane të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor që prej Samitit të Selanikut në 2003 dhe ka luajtur rolin e avokatit mbrojtës dhe në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme sa i përket përparimit tuaja”, theksoi Mitsotakis.

“Anëtarësimi në BE nënkupton që ju pranoni të transformoheni thelbësisht si shtet dhe si shoqëri, që të jeni gati t’i bashkoheni unionit. Ashtu si Greqia dhe vende të tjera para nesh, ju është kërkuar të punoni me një agjendë reformash të thella, përpara se BE-ja të mund të niste negociatat me vendin tuaj. Qeveria juaj mori vendime të vështira, por të guximshme që sollën rezultate”, u shpreh Mitsotakis.

“Greqia si fqinji juaj i afërt, ju uron më të mirat. Lidhjet që na bashkojnë tregojnë se kur ju përparoni, të dy vendet rriten e forcohen. Minoriteti grek në Shqipëri dhe shumë shqiptarë që e kanë kthyer Greqinë në shtëpinë e tyre janë një lidhje organike mes nesh. Kam bindjen se vendimi i sotëm do të thotë një e ardhme më e mirë edhe për ata. Urime, Shqipëri!”, theksoi Mitsotakis.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNehammer për negociatat: Gur themeli historik për vendin tuaj dhe për BE-në
Artikulli tjetërBegaj: Shqiptarët do të jenë qytetarë dhënës në qytetërimin europian