KIEV, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka falënderuar SHBA për intensifikimin e ndihmës së tyre ushtarake me dërgesat e ardhshme të më shumë raketahedhësve, automjeteve dhe dronëve.
“Faleminderit presidenti Biden për paketën e re të ndihmës mbrojtëse për Ukrainën. Armët me rëndësi të madhe dhe të fuqishme do të shpëtojnë jetën e ushtarëve tanë, do të përshpejtojnë çlirimin e tokës tonë nga agresori rus. Unë vlerësoj miqësinë strategjike midis kombeve tona. Së bashku deri në fitore!” Zelensky shkroi në Twitter të shtunën.
Shtëpia e Bardhë njoftoi dje dërgesa shtesë të armëve të rënda në Ukrainë me vlerë rreth 270 milionë dollarë, duke e çuar totalin e ndihmës ushtarake për vendin në 8,2 miliardë dollarë që nga fillimi i administratës së Bidenit.
Të përfshira në paketën e fundit janë katër sisteme shtesë artilerie ”HIMARS”.
Kievi ka thënë se raketat e teknologjisë së lartë dhe me rreze të gjatë të furnizuar nga SHBA do të jenë të rëndësishme për një kundërofensivë të planifikuar për të rimarrë territorin e kapur nga forcat ruse.
Paketa e re amerikane përfshin gjithashtu 36 000 predha artilerie, automjete dhe deri në 580 dronë ”Phoenix Ghost”.
Rusia ka paralajmëruar SHBA-në dhe NATO-n se furnizimi me armë në Ukrainë vetëm sa do të zgjasin luftën.
Këtë javë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se armët me rreze të gjatë që po dërgohen në Kiev nga Perëndimi kanë ndryshuar dinamikën e luftës dhe kjo po e shtyn Moskën të ripërcaktojë qëllimet e saj.
Lavrov tha se për të garantuar sigurinë e forcave të veta, ushtria ruse tani duhet të punojë për t’i shtyrë forcat ukrainase më larg nga vija e frontit, duke sugjeruar se Moska do të zgjerojë fokusin e pushtimit të saj përtej lindjes së vendit./ a.jor.





















