Ballina Flash

“Beni ecën vetë”, filmi që shenjoi fëmijërinë tonë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një homazh për “regjisoren e fëmijëve”, Xhanfize Keko dhe skenaristin e shkrimtarin Kiço Blushi, ka bërë sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke sjellë në vëmendje filmin “Beni ecën vetë”.

Filmi, prodhim i vitit 1975, është “një nga filmat që kanë shenjuar fëmijërinë tonë”, shkruan Margariti.

Përveç emrave të Xhanfize Kekos e Kiço Blushit, një tjetër figurë e rëndësishme që ka lënë gjurmën e tij tek “Beni”, është kompozitori i filmit, Limos Dizdari, i cili shkroi një muzikë që është ngulitur në kujtesën e kujtdo që e ka parë filmin.

Në rolet kryesore interpretojnë Herion Mustafaraj (Beni), Pandi Raidhi (Xha Thomai), Dhorkë Orgocka (Teto Ollga), Yllka Mujo (nëna e Benit) etj.

Filmi rrëfen për një fëmijë qyteti, të rritur me kujdesin e tepruar të prindërve, të cilët hezitojnë ta lënë të lirë të eksplorojë jashtë mureve të shtëpisë. Vizita në fshat, tek xhaxha Thomai, e përball me jetën në fshat, e bën të kapërcejë frikën e të jetë më i lidhur me bashkëmoshatarët.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Rruga e Arbrit, gati brenda 17 muajsh
Artikulli tjetërBRUKSEL – Polonia skeptike për mekanizmin e solidaritetit për gazin