TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Në Rektoratin e Universitetit të Tiranës u zhvillua sot një veprimtari vlerësuese në lidhje me programin e parë shqiptar të Masterit në Kriminologji, i cili mbështet një qasje shumë disiplinore në parandalimin e krimit në vend.
Ky takim u zhvillua me pjesëmarrjen e Zyrës për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte rektori i Universitetit të Tiranës prof. dr. Artan Hoxha, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Dorina Hoxha, zëvendësndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ambasadorja Lisa Johnson dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco.
Në fjalën e tij rektori i UT prof. dr. Artan Hoxha shprehu falënderime për qeverinë e SHBA-së dhe Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit për programin në fjalë.
“Ky program bazohet në një qasje novatore, duke e lënë pas krahëve qëndrimin klasik ndaj krimit, i cili bazohet në hetime dhe ndëshkime penale, duke e zhvendosur fokusin dhe përpjekjen drejt një qasjeje sa më gjithëpërfshirëse”, tha Hoxha.
Hoxha u shpreh se “numri i specialistëve shqiptarë do të jetë gjithnjë në rritje, të cilët do të aftësohen profesionalisht për përdorimin e të dhënave empirike për një luftë efikase kundër krimit nga një këndvështrim modern që bazohet në të rejat e shkencës”.
/k.s/r.e/

























