TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Janë të shumta kërkesat e të rinjve, të cilët duan që martesën e tyre ta kurorëzojnë në Xhaminë e Ballies.
Ndaj, në ambientet e xhamisë së Ballies nën drejtimin e Imam Dorian Balliut u organizua akti i Nikahut (martesës religjoze) i çiftit Armela dhe Redoni.
Dy të rinjtë në prani të familjarëve dhe miqve të tyre u kurorëzuan në martesë.
Ky akt për besimtarët myslimanë ka të njëjtën rëndësi si martesa civile, e cila rregullon marrëdhëniet martesore në shoqërinë shqiptare, por që është një martesë e ndryshme në procedurë dhe substancë.
Emocionet që ka përcjellë kjo ceremoni kanë qenë të mëdha, jo vetëm për Armelën dhe Redonin, por edhe të afërmit dhe miqtë e tyre.
Xhamia e Ballies, e rindërtuar pas 55 vitesh, prezantohet madhështore, në rindërtimin e saj janë aplikuar risitë më të fundit si në përqasjet artistike ashtu edhe në aplikimet e teknologjisë së ndërtimit.
/k.s/r.e/
















