Ballina Aktualitet

Kryeministri çek: BE më e fortë nga përfshirja e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Kryeministri i Republikës Çeke, Petr Fjala deklaroi sot se Bashkimi Europian do të jetë më i fortë nga përfshirja brenda tij, e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa siguroi për mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit të plotë

“Në emër të Presidencës Çeke, Këshilli i BE-së uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për këtë gur kilometrik. Ne do të jemi më të fortë nga zgjedhja juaj që është testuar tashmë shumë herë“, tha kryeministri çek.

Kryeministri Fjala vlerësoi edhe qëndrimin e mbajtur nga të dy vendet, ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“Duke patur parasysh agresionin rus, ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj për të pasur politikë sigurie të njëjtë me Bashkimin Europian. Në Europën e sotme ne duhet të jemi bashkë gjatë gjithë kohës”, tha ai.

Njëkohësisht, Fjala siguroi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetje të mëtejshme në rrugën e integrimit.

“Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë ta mbështesë. Ne kemi nderin që një progres i tillë ndodh gjatë Presidencës sonë. Ne duhet të falenderojmë edhe Presindencën franceze për punën e tyre që na solli në këtë moment historik”, tha ai.

Sipas tij, Republika Çeke dhe e gjithë Europa Qendrore e di shumë mirë rëndësinë e integrimit europian, për demokracitë tona, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE dhe për këtë, ju uroj anëtarësim sa më të shpejtë!”, uroi kryeministri Fjala.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku për nisjen e negociatave: S’ka kohë për festë, tani nis puna reale
Artikulli tjetërHapja e negociatave me BE, Rama: Shqiptarët s’u dorëzuan për ëndrrën europiane