Ballina Bota

PORTRET – ”Abenomics” alias kryeministri që i dha emrin reformave ekonomike

LONDËR, 8 korrik /ATSH/ – Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe vdiq sot në spital pasi u qëllua me armë zjarri në një ngjarje të fushatës politike, sipas BBC.

Abe u qëllua dy herë teksa po mbante një fjalim në qytetin jugor të Nara sot në mëngjes.

Ish-kryeministri Abe u rrëzua menjëherë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt. Pamjet e marra në vendngjarje treguan se ai kishte gjakderdhje.

Zyrtarët e sigurisë në vendngjarje e ndalën autorin e armatosur dhe i dyshuari 41-vjeçar tani ndodhet në paraburgim.

Në një konferencë emocionale për shtyp më parë, kryeministri, Fumio Kishida dënoi sulmin, duke thënë: “Ky është një sulm barbar dhe keqdashës dhe nuk mund të tolerohet”.

Abe po mbante një fjalim për një kandidat politik në Nara kur ndodhi sulmi.

Dëshmitarët okularë thanë se panë një person që mbante një armë të madhe i cili qëlloi dy herë në drejtim të Abe.

Oficerët e sigurisë ndaluan sulmuesin, i cili nuk bëri asnjë përpjekje për të vrapuar, dhe sekuestruan armën e tij, e cila thuhet se ishte një armë e punuar me dorë.

I dyshuari është identifikuar si banor i Narës, Tetsuya Yamagami. Raportet e medias lokale thanë se ai ishte një ish-anëtar i Forcës Vetëmbrojtëse Detare të Japonisë, ekuivalenti i marinës japoneze.

Fjalimi i Abe erdhi si pjesë e një fushate për ish-partinë e tij, Partinë Liberal-Demokrate, pasi zgjedhjet e Dhomës së Lartë në Japoni do të zhvillohen këtë javë.

Abe, i cili ishte kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, mbajti detyrën në vitin 2006 për një vit dhe më pas u rizgjodh përsëri nga viti 2012 në 2020, përpara se të largohej për arsye shëndetësore.

Ndërsa ai ishte në detyrë, ai nxiti politika të ashpra për mbrojtjen dhe politikën e jashtme, dhe prej kohësh ka kërkuar të ndryshojë kushtetutën pacifiste të pasluftës të Japonisë.

Shinzo Abe është më i njohur jashtë vendit me politikën e tij ekonomike të quajtur “Abenomics” e nisur nga fundi i vitit 2012, duke kombinuar lehtësimin monetar, stimulin masiv fiskal dhe reformat strukturore, sipas AFP.

Ajo ka shënuar disa suksese, të tilla si një rritje e dukshme në shkallën e aktivitetit të grave dhe të moshuarve, si dhe një rekurs më i madh për emigracionin përballë mungesës së fuqisë punëtore.

Në verën e vitit 2020, kur ai ishte bërë jopopullor për menaxhimin e tij të pandemisë, që konsiderohej i ngathët nga opinioni publik, ai pranoi se vuante nga një sëmundje kronike inflamatore e zorrëve, koliti ulceroz dhe dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj.

Kjo sëmundje ishte tashmë një nga arsyet e përfundimit të papritur të qëndrimit të tij të parë në pushtet në vitin 2007.

Ai u pasua nga aleati i tij i ngushtë i partisë Yoshihide Suga, i cili më vonë u zëvendësua nga Fumio Kishida./ /a.i/  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVrasja e ish-kryeministrit Abe, Rama: Sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq
Artikulli tjetërNdeshjet e grupit G të Champions League në futsall, në Shqipëri