Ballina Flash

“Nastradini” shëtit në rrugët e Korçës

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Një shfaqje të një karakteri tepër të veçantë ka ofruar Teatri “A. Z. Çajupi” i Korçës për publikun e qytetit. Rrëfenjat e famshme të Nastradinit, kanë ardhur në një formë tjetër. Nuk ka qenë publiku që ka shkuar në teatër, por e anasjellta. Aktorët kanë vënë shfaqjen nëpër rrugët e Korçës, duke bërë ndalesa në disa pika të rëndësishme të qytetit, si sheshi para Katedrales, Muzeu Arkeologjik dhe Mitropolia.

Aktorët e Teatrit “A. Z. Çajupi”, janë bërë bashkë me aktorë nga Italia dhe të rinjtë e talentuar të “Rin Show”.

Shfaqja “Në këpucët e Nastradinit”, me tekst e regji të Laura Fatinit, shijohet në lëvizje, dhe do të luhet edhe sot në mbrëmje. Ajo i është bashkuar projektit “Giufà” të një grupi artistësh të rinj italianë. Emrin ky projekt e merr nga versioni sicilian i Nastradinit, një personazh rrëfenjash, që ka jetuar në Turqinë e shekullit të 13-të, por që njihet në të gjithë Ballkanin e më gjerë, me emra të ndryshëm.

Shfaqja “Në këpucët e Nastradinit”, ngjalli shumë interes dhe argëtoi publikun”, është shprehur aktorja dhe njëkohësisht drejtore e Teatrit, Zamira Kita. Ajo i ka ftuar artdashësit, edhe sot, të mblidhen para Katedrales, për të nisur udhëtimin teatror. Shfaqja jo vetëm të argëton, por ka dhe një mesazh shumë të bukur.

“Mos i ndaloni njerëzit të lëvizin, sepse rrezikoni të ndaloni historitë e tyre dhe kështu ju ndaloni jetën”, tha Kita.

“The Giufà Project”, është një “kuti” krijimesh artistike të zhanreve të ndryshme, dhe multikulturalizmi, që ka synimin të ngrejë ura komunikimi mes kulturave të Mesdheut.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Johnson jep dorëheqjen pas rënies së mbështetjes në parti
Artikulli tjetërFOKUS – Macron: MV ndodhet para një momenti kyç të historisë, zgjedhja evropiane i takon asaj