Ballina Ekonomi

Hapet sot bajpasi i Vlorës, zona kthehet në superdestinacion turistik

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik që lehtëson qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit, do të hapet përfundimisht sot.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një interpelance në Kuvend.

Ministrja Balluku gjatë inspektimeve të kësaj vepre ka bërë të ditur se bajpasi i Vlorës është ndërtuar me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.

Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja: Qeveria Rama do investojë dhe segmentin Maqellarë-Peshkopi
Artikulli tjetërKOMENT – Johnson jep dorëheqjen pas rënies së mbështetjes në parti