Ballina Bota

KOMENT – Mbaroi ”loja” e Johnsonit?

LONDËR, 6 korrik /ATSH-DPA-PA Media/ – Gazetat kombëtare të Britanisë së Madhe pikturuan një pamje të zymtë sot për kryeministrin Boris Johnson, i cili po përballet me krizën më të madhe drejtuese të kryeministrisë së tij, pasi Rishi Sunak u largua nga posti i ministrit të Financave dhe Sajid Javid dha dorëheqjen si ministër i Shëndetësisë.

“Loja mbaroi”, thotë kryetitulli i ”The Times”, që shton se ”është gabim që Johnson të vazhdojë të qëndrojë në pushtet sepse ai ka humbur besimin e partisë së tij dhe vendit”.

“Nuk ka asnjë shans të imagjinueshëm që Johnson, i cili nuk arriti të sigurojë mbështetjen e 148 deputetëve në një votëbesimi muajin e kaluar, të mund të rimarrë autoritetin e tij për të ofruar udhëheqjen efektive që i nevojitet vendit në një kohë krize akute kombëtare”, shkruan ”The Times”.

”Çdo ditë që ai qëndron e thellon ndjenjën e kaosit. Për të mirën e vendit duhet të ikë”, thekson gazeta.

Brenda gazetës, kolumnisti Iain Martin përshkroi kaosin brenda qeverisë teksa shprehte shpresa të kufizuara për ministrin e sapoemëruar të Financave, Nadhim Zahawi.

“Kishte një ‘përleshje’ të çmendur nga një ekip i mashtruar i Borisit, ndërsa ata u përpoqën të identifikonin një person, çdo person, i përgatitur për të pranuar postin e dytë më të rëndësishëm politik në vend, por që rrezikon të jetë mbajtësi më i shkurtër i postit të ministrit të Financave”, shkruan Martin.

Ai tha se ish-ministri i Shëndetësisë, Jeremy Hunt dhe ai i Mbrojtjes, Ben Wallace po përmendeshin si pasardhës të mundshëm të Johnson.

Për ”The Telegraph”, ish-ministri i Brexit, David Frost tha se Johnson duhet të largohet nga posti i tij ose të rrezikojë “të marrë partinë dhe qeverinë me vete”, duke shtuar se pas dorëheqjeve të së martës “ministrat e tjerë të kabinetit tani duhet të konsiderojnë nëse janë vërtet të kënaqur me drejtimin aktual”.

”Daily Express” e cilësoi Johnsonin si “të plagosur”, por “të çliruar”, me faqen e parë të gazetës duke thënë se kryeministri po luftonte me një zotim për të ulur taksat.

Analisti i ”Daily Mail”, Stephen Glover, vlerëson kryeministrin si “një politikan i jashtëzakonshëm që qëndron me kokë dhe shpatulla mbi pothuajse të gjithë anëtarët e tjerë të kabinetit”.

Politikani do të nderohet për ofrimin e Brexit-it, pavarësisht nga gabimi i tij kryesor, ai i “ngurrimit të tij për të thënë të vërtetën”.

”Por, pas gjithë asaj që ka ndodhur dhe pavarësisht arritjeve të tij, ai tani duket të jetë një kryeministër i dënuar. Po, çfarë humbje dhe tragjedi”, shkruan Glover.

Analistja e ”The Guardian”, Polly Toynbee beson se mënyra dhe koha e saktë e largimit të kryeministrit është “e vetmja pyetje e mbetur”.

“Shumë pak presin që ai të luftojë për zgjedhjet e ardhshme. Komiteti i vitit 1922 mund të ndryshojë rregullat menjëherë brenda natës dhe të mbajë një tjetër votë lidershipi, me të gjitha shenjat se ai do të humbasë herën tjetër”, shkroi ajo.

“Ose ata mund të presin zgjedhjen e javës së ardhshme të një komiteti të ri që synon të ndryshojë rregullat për të lejuar një përpjekje tjetër për mbrojtje”, thekson Toynbee./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBordi i Transparencës: Çmimi i naftës zbret në 243 lekë për litër
Artikulli tjetërARRSH: Vijojnë punimet në lotin 5 të Unazës Verilindore