TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka uroi sot 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan!”, shkroi Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.
“Populli shqiptar bashkohet me ju në festën e lirisë që kjo ditë simbolizon, krenar për partneritetin gjithnjë e më të thelluar mes vendeve tona dhe miqësinë mes popujve tanë!”, theksoi Xhaçka.
Ky 4 korrik përkon me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. Niveli i marrëdhënieve dypalëshe vlerësohet i shkëlqyer. Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik Shqipëri-SHBA, nënshkruar më 20 prill 2015, pasqyron më së miri marrëdhëniet e partneritetit mes dy vendeve dhe materializon bashkëpunimin me një kalendar konkret dhe gjithëpërfshirës. Ky dokument fokusohet në tre plane: partneritet për çështjet globale; partneritet për çështjet rajonale dhe partneritet për agjendën dypalëshe – dialogu politik, siguria, forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri, zhvillimi ekonomik, siguria energjetike dhe shkëmbimet arsimore-kulturore. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh shumë të rëndësishme, ku bëjnë pjesë dhe Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së SHBA-së dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Sigurinë 4G dhe 5G, Memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik, Marrëveshja mbi Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore.
Në ditët e sotme partneriteti strategjik me SHBA-në është baza e solidaritetit dhe mbështetjes, siç u reflektua pas tërmetit në Shqipëri, gjatë pandemisë globale, akomodimit të qytetarëve afganë në Shqipëri, bashkëpunimit të ngushtë në KS për të adresuar sfidat për paqen dhe sigurinë në botë. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në KS të OKB ka qenë kyç në adresimin e agresionit të pajustifikuar dhe të paprovokuar rus ndaj Ukrainës, ku Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në për Ukrainën.
Sot, të dyja vendet janë aleate në NATO, organizatë në të cilën Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura, që i shërben zhvillimit demokratik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe rritjes së sigurisë dhe stabilitetit kombëtar dhe rajonal.
Shqipëria ka dhënë kontributin e saj, përkrah SHBA, në misione paqeruajtëse, përfshirë në Afganistan, ndrkohë që po strehon për një periudhë kalimtare refugjatë afganë, jetët e të cilëve kërcënohen nga situata e sigurisë atje.
Në fillim të këtij viti, Shqipëria ishte pritësja kryesore e stërvitjes më të madhe ushtarake të udhëhequr nga SHBA në Ballkan, që nga Lufta e Dytë Botërore, Defender 2021.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit dhe ISIL, nën lidershipin e SHBA, dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.
Ne vlerësojmë mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të SHBA-së për përparimin e arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit. Ne, gjithashtu, vlerësojmë shumë përkushtimin e Presidentit Biden dhe administratës amerikane për të mbetur të angazhuar në rajonin tonë dhe mirëpresim bashkëpunimin SHBA-BE në dobi të zgjidhjes së çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar maksimalisht, për të qenë përkrah SHBA në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, konsolidimit të ekonomisë së tregut, luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
/j.p/r.e/












