TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se institucionet financiare jobanka shënuan një rritje të ndjeshme të fitimeve vitin e kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar këto institucione raportuan një rezultat financiar pozitiv prej 3.66 miliardë lekësh me një rritje 57 % krahasuar me një vit më parë.
Rezultati i institucioneve financiare jobanka përbën rreth 14.5 % të rezultatit të sistemit bankar.
Portofoli i kredisë bruto për IFJB-të arriti në 42.1 miliardë lekë, në rritje me 15.1 % krahasuar me vitin paraardhës. Kontributin kryesor në këtë rritje e dha segmenti i mikrokredisë, që solli rreth 70 % të shtesës prej 5.5 miliardë lekësh në portofolin e kredisë.
Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së IFJB-ve mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë 76.1 %. Më pas renditet portofoli i subjekteve të qirasë financiare 22.8 % dhe portofoli i subjekteve faktoring 1.1 %.
Portofoli i kredisë së IFJB-ve arrin në 5.9 % të totalit të kredisë së sistemit bankar, duke ruajtur pothuajse të njëjtën peshë krahasuar me vitin paraardhës.
/j.p/r.e/






















