MADRID, 28 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të takohet sot kryeministren suedeze, Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez, Sauli Niinisto, në Madrid, për të diskutuar ofertat e ngecura nga Suedia dhe Finlanda për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.
Erdogan, i cili aktualisht po bllokon të dyja ofertat, i akuzoi dy vendet për mbështetje të grupeve terroriste, të ndaluara në Turqi, dhe nuk tregoi gatishmëri për kompromis për pozicionin e Turqisë përpara bisedimeve.
“Nesër do të shkojmë në samitin e NATO-s në Spanjë dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme në përputhje me të drejtat dhe interesat e vendit tonë”, tha Erdogan, sipas burimeve qeveritare.
Ai tha se “hipokrizia për organizatat terroriste do t’u shpjegohej kolegëve të NATO-s me dokumente, informacione dhe fotografi”.
Erdogan akuzon Suedinë dhe Finlandën se mbështesin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe YPG-në, një milici kurde me bazë në Siri, të dyja të klasifikuara nga Ankaraja si grupe terroriste.
Megjithatë, Suedia dhe Finlanda kundërshtojnë akuzat turke.
Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu do të marrë pjesë në bisedime me shpresën për të parandaluar që kundërshtimi turk ndaj aplikimeve për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës të errësojë ditën e parë të samitit të NATO-s./ /os/























