TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Komisioni parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Prezencës së OSBE në Shqipëri, zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Elbasanit.
Kryetarja e këtij komisioni, Flutura Açka, nënkryetari Petro Koçi, si dhe anëtarët e komisionit, u ndalën në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” ku u krye mbledhja e radhës e komisionit, si një bashkëbisedim me stafin akademik dhe rektorin e këtij universiteti, prof. dr. Skënder Topi.
Gjatë takimit u diskutua për problematikat dhe ndërhyrjet që janë të nevojshme për degët e mësuesisë, për çështjet e titujve dhe gradave, për pagat e pedagogëve, për kërkimin shkencor, etj.
Rektorit të Universitetit, Topi, iu bë e ditur nga anëtarët e komisionit, që të gjitha problematikat që u ngritën sot, si dhe mundësia e zgjidhjes së tyre, do të diskutohen në një seancë dëgjimore të radhës me ministren e Arsimit, Evis Kushi.
Gjatë vizitës në qytetin e Elbasanit, anëtarët e komisionit, vizituan dhe kalanë e Elbasanit dhe Muzeun Etnografik të këtij qyteti.
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në axhendën e tyre kanë planifikuar dhe takime të tjera në qytetin e Shkodrës dhe të Korçës, ku do i përmbahen të njëjtës tematikë, asaj të arsimit.
/j.p/r.e/























