TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Kanionet e Osumit me madhështinë, lashtësinë, mitologjinë dhe bukurinë e tyre janë shndërruar në një destinacion turistik gjithmonë e më të pëlqyer për aventurierët e sporteve të “adrenalinës”.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Berat së bashku me Federatën Shqiptare të Raftingut vendosën sot tabela informuese për vizitorë vendas dhe të huaj, në dy prej pikave hyrëse tek Kanionet e Osumit.
“Këto tabela, në shqip dhe anglisht, informojnë vizitorët për shkallën e vështirësisë dhe si duhet të veprojnë, për të mos rrezikuar jetën”, shprehet ADZM Berat në një postim në rrjetet sociale.
Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato janë formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë. Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara.
Pamjet që të ofrojnë kanionet e Osumit janë mahnitëse, gjithë lartësi, kontraste për sa i përket dritës, bimësi e larmishme, një atraksion i vërtetë për turistët vendas dhe të huaj.
/k.s/j.p/























