Ballina Flash

Konferenca shkencore “Bujqësia dhe e ardhmja e saj në rajon”

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ U zhvillua në Tiranë konferenca shkencore “Bujqësia dhe e ardhmja e saj në rajon”.

Konferenca u organizua me pjesëmarrjen e studiuesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Konferenca u organizua me pjesëmarrjen e studiuesve të dy akademive nga komisioni për shkencat biologjike, bujqësore dhe veterinare dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Të pranishëm ishin kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, prof. Joan Jelev nënkryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore në Rumani, prof. Marian Bogoescu sekretar i përgjithshëm i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore në Rumani, zëvendësministrat e Ministrisë së Bujqësinë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici dhe Roland Kristo, akad. Shaban Sinani sekretar shkencor i ASH, akad. Neki Frashëri kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike (ASH), akad. Nazim Gruda (ASH), gjithashtu anëtar nderi i ASHBP), akad. Ilia Mikerezi (ASH), akad. asoc. Fatbardh Sallaku (rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës), dhe studiues e akademikë të dy vendeve, etj.

Akad. Nazim Gruda kërkues në fushën e hortikulturës, profesor në Universitetin e Bonit dhe Ministrinë Federale të Ushqimit dhe Bujqësisë në Gjermani çeli konferencën dhe u shpreh se një ngjarje e tillë nënvizon kontributin e jashtëzakonshëm që luan bujqësia në shumë fusha të jetës sonë.

Bujqësia jo vetëm që siguron prodhimin e ushqimin tonë, por gjithashtu kujdeset për prodhimin e qëndrueshëm. Dhe prodhimi i qëndrueshëm nuk është një detyrë e lehtë sot:

– humbja e biodiversitetit është duke u përshpejtuar,

– emetimet globale të gazrave po rriten,

– ndotja e ajrit dhe e tokës janë gjithnjë në rritje.

Dhe bujqësia ka pjesën e saj, ka kontributin e saj në këto zhvillime. Prandaj, ndryshimet në ekosistemet paraqesin sfidën më të madhe për politikën globale mjedisore dhe të prodhimit të ushqimit, tha akad. Gruda.

Në ditën e parë të kësaj konference kumtuan:

Prof. asoc. Erinda Lika për rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës në zbatimin e politikave bujqësore nëpërmjet inovacionit dhe transferimit të dijes.

Prof. emeritus, dr. H. C. Valeriu Tabara dhe prof. dr. Ioan Jelev (ASAS) paraqitën kumtesën “Akademia e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore dhe potenciali bujqësor i Rumanisë”.

Akad. Nazim Gruda prezantoi punimin shkencor për kultivimin e mbrojtur në vendet e Evropës Juglindore.

Prof. dr. Marian Bogoescu (ASAS) prezantoi punimin për alternativa të qëndrueshme ndaj përdorimit të metil bromidit në hortikulturën rumune.

Prof. dr. Endrit Kullaj (UBT) foli për zhvillimin e sektorit bujqësor në Shqipëri: problematikat dhe sfidat për të ardhmen.

Prof. dr. Lumturi Papa (UBT) foli për zhvillimin e sektorit blegtoral në Shqipëri: problematikat dhe sfidat për të ardhmen

Prof. dr. Leonidha Peri (UBT) foli për pasuritë pyjore të Shqipërisë: problematikat dhe sfidat për menaxhimin e tyre në të ardhmen.

Mbajtja e kësaj konference në Tiranë është një mundësi e vlefshme për shkencëtarët e hulumtuesit e të dyjave vendeve për të shkëmbyer përvojën e tyre. Bashkëpunimi mes dy akademive do të krijojë mundësinë e kontakteve të reja shkencore dhe projekteve të përbashkëta kërkimore.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMEDIA – TRT fillon transmetimin e platformës digjitale TRT Balkan
Artikulli tjetërRUSI – ”Gazprom” redukton ndjeshëm furnizimin me gaz drejt Gjermanisë