ANKARA, 16 qershor /ATSH-AA/ – Transmetuesi publik turk, TRT, ka filluar transmetimin e TRT Balkan, një platformë e re digjitale e lajmeve që do të mbulojë çështjet politike, sociale, kulturore dhe ekonomike për Ballkanin.
Platforma, që filloi sot funksiionimin, do të publikojë përmbajtje speciale për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi.
Ajo synon mbi 30 milionë njerëz nga këto vende dhe diaspora ballkanike me një gamë të gjerë përmbajtjesh në shumë gjuhë, si shqip, serbo-kroatisht dhe maqedonisht.
Ashtu si platformat e tjera ndërkombëtare të lajmeve të TRT-së, TRT Balkan do të publikojë gjithashtu përmbajtje në YouTube, Facebook, Twitter, Instagram dhe TikTok.
Me zyrat e saj në Shkup dhe Sarajevë, TRT Balkan do të funksionojë për të ofruar lajme objektive dhe të besueshme për audiencën e saj nga i gjithë Ballkani.
Projekti u hap zyrtarisht dhe u prezantua në Ankara, para të ftuarve të nivelit të lartë dhe të ftuarve të shumtë nga mbarë bota, ku mes tjerash, të pranishëm ishin edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Popullore të Turqisë, Mustafa Sentop, shefi i Kryesisë së Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun dhe drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Mehmet Zaid Sobaci.
Sentop tha se TRT-së sot iu shtua një anëtar i ri me emrin TRT Balkan.
“Besoj përzemërsisht se vëllazëria jonë e palëkundur shekullore, do të përforcohet edhe më shumë përmes TRT Balkan duke u informuar për njëri-tjetrin”, shtoi kryeparlamentari turk.
Ndërkaq, Altun shprehu bindje se TRT Balkan do të jetë zëri i fuqishëm i Ballkanit në arenën ndërkombëtare.
“Do të pasqyrojë pasurinë kulturore, etnike dhe fetare të Ballkanit”, deklaroi ai.
Drejtori i përgjithshëm i TRT-së, Sobaci deklaroi se TRT vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj ndërkombëtar dhe se sot këtij rrjeti iu bashkua edhe një anëtar tjetër, platforma digjitale e lajmeve, TRT Balkan.
“Sot, kanalet televizive, radioja dhe platformat digjitale të TRT-së transmetojnë përmbajtje në 41 gjuhë të huaja dhe dialekte në shtatë kontinente”, theksoi Sobaci.
Institucioni me qendër në Ankara tashmë ka pesë burime të ndryshme ndërkombëtare: TRT World, TRT Arabi, TRT Russian, TRT Deutsch dhe TRT Francais.
E themeluar në vitin 1964, organizata mediatike turke ka vazhduar rrugën për t’u bërë një transmetues i madh ndërkombëtar që nga viti 2016, kur filloi shërbimin e saj në gjuhën angleze, TRT World./ a.jor.












