Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Fiskalizimi element kyç kundër korrupsionit, përmbyllet në fund të qershorit

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimi vlerësoi hartimin e raportit të parë mbi antikorrupsionin në Shqipëri, duke e cilësuar atë, si një udhërrëfyes për të gjithë ato sektorë të përfshirë aty, për punën dhe vijimësinë e punës që duhet bërë.

Duke marrë fjalën në punimet e Konferencë së Parë Kombëtare Antikorrupsion, Ibrahimaj tha se, “lufta kundër korrupsionit është një proces. Gjatë gjithë viteve të fundit, qeveria shqiptare ka punuar fort në mënyrë që të ngrejë themele solide dhe të forta për të pasur bazën, që ky proces të vazhdojë siç duhet dhe një ditë ai raport i antikorrupsionit të tregojë ekselencën e arritjeve”.

“Ky proces ka nisur me ngritjen e sistemeve të nevojshme që na duhen dhe na shërbejnë për ta reduktuar maksimalisht korrupsionin. Ka filluar me rritjen e kapaciteteve të gjithë  stafit të administratës publike, me qëllim përdorimin e sistemeve në mënyrën sa më eficiente me qëllim eliminimin dhe parandalimin e të gjitha atyre mundësive për të krijuar korrupsion”, tha ministrja, teksa shtoi se, sfida për të ardhmen është bashkëpunimi më i fortë i qeverisë, sektorit privat dhe individëve për eliminimin e korrupsionit.

Sipas saj, MFE që prej 2014, ka filluar një punë të madhe me qëllim ngritjen e një barriere kundër korrupsionit, jo vetëm me synimin ndëshkimin e këtij fenomeni, por edhe parandalimin e tij. MFE ka fuqizuar mekanizmat e kontrollit në të gjithë sektorët e saj që  mbulon nëpërmjet digjitalizimit, duke rritur transparencën, duke ulur komunikimin ndërmjet biznesit dhe administratës apo individit dhe administratës.

Ibrahimaj tha se, sot kemi një administratë fiskale tërësisht të automatizuar që e ka filluar këtë punë që në 2015-ën, duke i dhënë mundësi bizneseve që të gjitha deklarimet t’i bëjë online.

“Fiskalizimi është një element kyç kundër korrupsionit. Fundi i qershorit shënon përmbylljen e Fiskalizimit në Shqipëri. Sot biznesi i madh është 100 % i fiskalizuar dhe 85 % e biznesit të vogël është përfshirë në këtë proces. Këto sisteme i mbyllin çdo hap korrupsionit. Ne duam që automatizimin për mbledhjen e taksave ta shtrijmë edhe në qeverisjen vendore. Kemi filluar punën për unifikimin e taksave vendore, që do të reduktojë abuzimin edhe në nivel lokal. Ndërsa kemi disa regjistra që i shërbejnë luftës kundër pastrimit të parave. Kemi ngritur sistemin e shkëmbimit të informacionit të automatizuar mes 74 vendeve të OECD-së, duke reduktuar evazionin fiskal”, bëri të ditur Ibrahimaj, teksa theksoi se Shqipëria nga 1 maji ofron të gjitha shërbimet publike online.

“Janë 264 441 certifikata të lëshuara me vulë elektronike, që nga data 1 maj e deri më tani”, tha Ibrahimaj.

Ajo informoi se Shqipëria është vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare për hapat e suksesshme që ka hedhur në procesin e digjitalizimit të shërbimeve. Ndërsa nënvizoi se qeveria vijon me ndërtimin e politikave për forcimin e demokratizimin e vendit.

“E ardhmja është që të gjitha shërbimet edhe në qeverisjen vendore të jenë online, dhe të gjitha transaksionet financiare të jetë online”, deklaroi Ibrahimaj.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Lufta kundër korrupsionit, arsyeja pse projektet në infrastrukturë po ecin para
Artikulli tjetërRama në Ukrainë, publikon foto nga zonat e bombarduara