Ballina Flash

Rama: Ballkani i Hapur, njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se riangazhimi i Kancelarisë dhe personalisht i kancelarit gjerman për Procesin e Berlinit është një lajm i mirë.

Gjatë një interviste për Televizionin Publik Shqiptar, nga Selaniku, ku po merr pjesë në Samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me ftesë të kryeministrit të Republikës së Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Rama theksoi se Ballkani i Hapur nuk është kundërshti i Procesit të Berlinit.

I pyetur lidhur me deklaratën e Kancelarit gjerman Scholz i cili  po zhvillon turin në Ballkan, ku ka lajmëruar një samit të radhës të vendeve të Ballkanit Perëndimor ose siç njihet nisma e Berlinit dhe se çfarë të rejash priten nga kjo, Rama tha se Ballkani i Hapur është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit është një le të themi, vijë sjelljeje e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është një hapësirë ku janë vendosur si të thuash ato piketa të cilat janë objektiva konkretë dhe nxitje për punë konkrete në Ballkanin e Hapur. Pra, Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur jo vetëm që nuk janë dy nisma kundërshtuese, nuk janë as dy nisma konkurruese, po janë dy nisma komplementare ku njëra është në një nivel parimor, tjetra është në nivel konkret. Ballkani i Hapur është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit”, deklaroi Rama.

Kryeministri ndodhet në Selanik, Greqi, me ftesë të Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të marrë pjesë në Samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me fokus nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe evropian dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Darmanin: Progres drejt kompromisit për reformën e migracionit në BE
Artikulli tjetërTifozat kuq e zi ndezin atmosferën në “Air Albania”