Ballina Aktualitet

Politika uron Presidentin e ri, Bajram Begaj

TIRANË, 4 qershor /ATSH-I.Vata/- Ministra, deputetë dhe përfaqësues të politikës, kanë uruar Presidentin e zgjedhur sot në Kuvend, Bajram Begaj.

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka përcjell mesazhin e urimit për Bajram Begajn.

“URIME ZOTI PRESIDENT”, shkruan Rama krahas dy fotove gjatë seancës së sotme plenare.

Xhaçka: Begaj do t’i japë Presidencës dinjitetin e simbolit të unitetit të kombit

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar sot Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryediplomatja shpreh bindjen se Begaj do t’i japë institucionit të Presidencës dinjitetin.

“Urime dhe suksese zoti President! Një ushtarak, një mjek, një ish-koleg me të cilin kam patur fatin të punoj me vlerësimin maksimal për profesionalizmin e urtësinë.  Një President që jam e bindur do të dijë t’i japë institucionit të Presidencës dinjitetin e simbolit të unitetit të kombit”, thekson Xhaçka.

Peleshi:  Presidenti i ri do të mbrojë Kushtetutën

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thekson se në krye të shteti kemi zgjedhur një njeri me vlera qytetare, që do të dijë të mbrojë Kushtetutën.

“Urime të përzemërta Bajram Begajt në detyrën më të lartë, si President i Republikës së Shqipërisë. Pata kënaqësinë të punoja me gjeneralmajor Begajn si Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe jam besimplotë që atë bashkëpunim të mirë do të vazhdojmë ta kemi edhe si President dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. I bindur se në krye të shtetit kemi zgjedhur një njeri me vlera qytetare, që do të dijë të mbrojë Kushtetutën dhe ligjin. Suksese Presidentit të ri të vendit”, shprehet Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka uruar Bajram Begaj për zgjedhjen si President. “Urime President! Urime Shqipëri”, shprehet Manja.

Çuçi: Begaj, një ushtarak karriere, i pakontestueshëm

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në urimin e tij për Bajram Begaj shprehet se do t’i rikthejë Presidencës dinjitetin që kaq shumë i ka munguar.

“Urimet më të mira për Bajram Begaj, Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Posti më i lartë shtetëror është një nder dhe përgjegjësi e madhe, që besoj se ai do ta përmbushë me integritet dhe profesionalizëm. Një ushtarak karriere, i pakontestueshëm dhe me të gjitha tiparet e një shtetari normal për t’i rikthyer Presidencës dinjitetin që kaq shumë i ka munguar. Mbarë e mirë Z.President”, shprehet ministri në një postim në rrjetet sociale.

Kombaro: Vendi ka aq shumë nevojë për integritetin tuaj

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka uruar sot Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj.
“Ju priftë e mbara Zoti President!Vendi ka aq shumë nevojë për integritetin tuaj, për dinjitetin dhe humanizmim tuaj. Respekt dhe besim të plotë të drejtuesi më i lartë i Shqipërisë, Bajram Begaj”, shprehet ajo.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shprehet: “Urime dhe suksese në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj”.

Ministri për Rindërtimit, Arben Ahmetaj në urimin për Bajram Begajn shprehet: “Urime dhe suksese në detyrën e rëndësishme Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj”.

Në mesazhin e urimit, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi shprehet :“Urimet më të mira dhe shumë suksese për Presidentin e ri të sapozgjedhur të Republikës, Bajram Begaj! Besimplotë që karriera e tij e deritanishme dhe detyra si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura janë një garanci për ta kryer këtë detyrë të lartë me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delinda Ibrahimi e uroi Bajram Begajn për zgjedhjen President i Republikës.
“Urime në detyrën tuaj të re, President. E bindur se do ta përmbushni atë me nder dhe profesionalizëm”, shprehet Ibrahimaj në statusin e saj në rrjetet sociale.

Edhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali ka shprehur urimin e saj për Bajram Begajn.

Gjiknuri uron Begajn: Besimplotë se do ta kryejë detyrën me përgjegjësi e në respekt me Kushtetutën

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka uruar Bajram Begajn për zgjedhjen si President i Republikës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Gjiknuri shprehet besimplotë se Begaj do ta kryejë detyrën e kreut të shtetit me përgjegjësi e në respekt me Kushtetutën.

“Urime z. Bajram Begaj për votëbesimin e marrë nga deputetët e Kuvendit si President i Republikës së Shqipërisë. Jam besimplotë se do kryejë me përgjegjësi të plotë, në respekt me Kushtetutën, detyrën e Kreut të Shtetit”, thekson Gjiknuri.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani uron Bajram Begaj: Do punojmë që t’i sjellim vendet tona më afër BE-së
Artikulli tjetërBajram Begaj, Presidenti i tetë i Republikës