TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi vizitoi Institutin e Shkencës së Informacionit në Slloveni (IZUM), ku u prit në takim nga drejtori i këtij instituti dr. Aleš Bošnjak, koordinatorja e Sistemit të Kërkuesve Shkencorë (ECRIS) Darinka Šeško dhe koordinatori i rrjetit COBISS.net, Davor Bračko.
Gjinushi shoqërohej nga kancelari Ruzhdi Kuçi dhe përfaqësuesja e sistemit COBISS.AL Mirlona Buzo.
“Qëllimi i këtij takimi ishte konsolidimi dhe zgjerimi i infrastrukturës së informacionit shkencor, e cila mundëson cilësi dhe transparencë të potencialeve dhe rezultateve kërkimore e për rrjedhojë promovimin e risive në shkencë”, informon Akademia e Shkencave në një postim në rrjetet sociale.
Pasi u vlerësua bashkëpunimi disavjeçar midis këtyre institucioneve u theksua rëndësia e evidentimit të aktivitetit shkencor të kërkuesve brenda dhe jashtë Shqipërisë, forcimi i rrjetit të kërkuesve shkencorë, si edhe rritja e mundësive të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta.
Në këtë takim u ra dakord për organizimin e një konference të përbashkët shkencore në Shqipëri me pjesëmarrës të universiteteve, instituteve dhe qendrave kërkimore shkencore, për prezantimin e platformave online të implementuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në ndihmë të kërkimit shkencor.
Me shumë interes ishte edhe prezantimi i superserverit (Vega computer) në mjediset e këtij instituti për ruajtjen dhe mbrojtjen e informacionit shkencor në Slloveni dhe Evropë.























