Ballina Aktualitet

Homazhe në nder të ish-Presidentit, Bujar Nishani

TIRANË 1 qershor /ATSH-I.Vata/ Në sallën “Skënderbeu” në Presidencë po zhvillohen homazhet në nderim të ish-Presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë më 28 maj, teksa prej javësh ishte shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital në Gjermani.

Politikanë, miq, të afërm dhe qytetarë të shumtë po kryejnë homazhe në nderim të ish-presidentit Bujar Nishani.

Nishani u dërgua për kurim në Gjermani, pasi vuante nga pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga COVID-19.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot homazhe në nder të ish-Presidentit Bujar Nishani.

Pas homazheve Meta u shpreh se, “u shpreha ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Odeta, fëmijëve Ersit dhe Fionës, si dhe të gjithë familjarëve të tyre, për këtë ndarje të dhembshme dhe shumë të parakohshme nga jeta të ish-Presidentit Nishani”, tha Meta.

“Ai, nuk ishte vetëm një bashkëshort dhe prind shembullor, por një nga politikanët dhe mbi të gjitha shtetarët më të përgjegjshëm dhe serioz të këtyre dekadave, në çdo detyrë, politike dhe shtetërore, ku shkëlqeu me korrektësinë, integritetin, principalitetin dhe konstruktivitetin që e karakterizonte, në mënyrë të veçantë si President i Republikës, ku spikati si një mbrojtës i shkëlqyer i Kushtetutës, i interesit publik dhe kombëtar, i demokracisë, parimeve dhe vlerave më të rëndësishme të saj”, theksoi Meta.

“Ish-Presidenti Nishani, simbol i virtyteve më të mira dhe njerëzore, la pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata, të cilëve ju shërbeu me përkushtim dhe besnikëri. I paharruar kujtimi i Tij!”, u shpreh Meta.

Gjithashtu dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar sot homazhe në nder të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

“Shteti humbi një nga shtetarët më dinjitoz në tërë historinë e tij. Shoqëria shqiptare dhe shqiptarët humbën një nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Bujar Nishani në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilën më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloje rënie, përkundrazi erdhi gjithnjë në forcim”, theksoi Berisha në një prononcim për mediet.

Berisha shtoi se, kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është se shpirtërisht është i gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patin fatin e madh ta njohin atë si mik, si bashkëpunëtorë, të familjes që pati një bashkëshort dhe një prind të tillë dhe të mbarë shqiptarëve.

“Ndaj duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë me familjen Nishani dhe miq e tij, shpreh ngushëllimet e mija atyre dhe shqiptarëve që humbën sot ish kreun e shteti që i dha në atë detyrë dinjitet të madh institucionit të Presidenti. I paharruar do mbetet kujtimi i tij”, tha Berisha.

Trupi i pajetë i ish-Presidentit Bujar Nishani ka mbërritur sot në atdhe. Në orët e mbrëmjes të së martës, makina me arkëmortin e ish-Presidentit Bujar Nishani kaloi pikën e kufirit të Morinës mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni të improvizuar forcat policore kosovare të kufirit në Morinë nderuan ish-Presidentin.

Nesër në orën 10:00-12.00 do të zhvillohen homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.

Pas orës 12.00 arkemorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor do të shkojë në këmbë deri të Ura e Lanës, pastaj do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – UNICEF: Pesë milionë fëmijë ukrainas të varur nga ndihmat humanitare
Artikulli tjetërKraja: SPAK heton në mënyrë të pavarur, nuk ndikohet nga presionet e politikës