Ballina Aktualitet

Balla: Investime në çdo cep të territorit

TIRANË, 30 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se qeveria po punon të sigurojë investime në çdo cep të territorit dhe shembulli më kuptimplotë i kësaj janë investimet në Tropojë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, sipas së cilit “minoriteti në Shqipëri është diskriminuar nga qeveria në këto 8 vite”.

“Vjen flet këtu për ndarje mes veriut e jugut, sikur këtu është lënë pas dore veriu. Unë mendoj se shembulli më domethënës i së kundërtës janë investimet e kësaj qeverie në Tropojë. Shembulli më kuptimplotë”, tha ai.

Balla ftoi çdo deputet të marrë pamjet se si ishte Bajram Curri në vitin 2013 dhe si është sot.

“Shikoni si ishte rruga për të shkuar në Valbonë deri në vitin 2013 dhe si është sot. Krahasoni investimet. Deri në vitin 2019, kryetari i bashkisë ishte i PD-së, pyeteni se sa investime mori përgjatë mandatit në kohën e PD-së dhe sa mori në kohën e PS-së”, vijoi Balla.

Balla theksoi domosdoshmërinë që “prirja 30-vjeçare e një individi për ta ndarë Shqipërinë copash për interesa politike të marrë fund”.

“Ne jemi për një Shqipëri të bashkuar, jo të ndarë. Ne jemi duke punuar për të siguruar investime në çdo cep të territorit, duke mos harruar se kemi kaluar 2 beteja tejet të vështira me rindërtimin, ku u kemi shërbyer të gjithëve njëlloj”, tha më tej ai.

Balla tha se me politikën e përçarjes janë përpjekur të minojnë demokracinë në Shqipëri e të ndjellin vëllavrasjen.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQuentin Tarantino së shpejti me një roman
Artikulli tjetër”Kalush Orchestra” shet trofeun e Eurovizionit për të blerë dronë