TIRANË, 28 maj /ATSH/ Ndarja nga jeta e ish-Presidentit Bujar Nishani ka sjellë mesazhe të shumta ngushëllimi e solidariteti me familjen nga deputetë, autoritete shtetërore, kolegë e miq të tij, bashkëpunëtorë në vite.
Meta: Personalitet me vlera të rralla
Presidenti i Republikës Ilir Meta përcolli sot mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kreut të shtetit, Bujar Nishani.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkroi se me trishtim dhe hidhërim të thellë mori lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. “Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe!”, u shpreh ai.
“Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar”, shkroi Meta.
Berisha: Përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë
Ish-kryeministri Sali Berisha shprehu sot ngushëllimet për familjen e ish-Presidentit Bujar Nishani i cili ndërroi jetë sot, duke theksuar në një postim në rrjetet sociale se ish- presidenti Bujar Nishani ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit.
“Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Personalisht, vijoi ai, ka pasur tek Bujar Nishani një prej bashkëpunëtorëve më të afërt, duke shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin më të ndjerë bashkëshortes, fëmijëve, familjes dhe miqve të ish-presidentit dhe mikut të çmuar.
Paloka: Fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka përmes një mesazhi në rrjetet sociale përcolli mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Bujar Nishani.
“Një lajm i hidhur ka pak që u konfirmua. Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD-së në vite, ka ndërruar jetë!”, shkroi Paloka.
“Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratet. Respekti ynë për gjithçka dha për PD-në dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë”, u shpreh Paloka.
Spiropali: Pusho në paqe President Nishani!
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali përcolli ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Spiropali u shpreh: “Pusho në paqe President Nishani! I lehtë dheu!”.
Gjiknuri: Diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani, duke e cilësuar një lajm të dhimbshëm.
“Përtej bindjeve dhe pozicioneve të ndryshme politike, ai ishte një personalitet që diti të përcjellë gjithmonë vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë! Gjej rastin t’u shpreh familjarëve dhe miqve të tij ngushëllimet më të sinqerta!”, u shpreh Gjiknuri në një postim në rrjetet sociale.
Balla: U prehsh në paqe President!
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
“U prehsh në paqe President!”, shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale.
Kryemadhi: Kujtimi dhe kontributi i tij për vendin, i paharruar
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Kryemadhi u shpreh se mendimet e saj janë me bashkëshorten e Nishanit, Odetën dhe familjarët e tij.
“Bujar Nishani ishte zyrtari, ushtaraku, qytetari i shtetit e miku i mirë, që karakterizohej nga integriteti dhe vlerat më të larta njerëzore. Kujtimi dhe kontributi i tij për vendin do të mbetet i paharruar!”, shkroi Kryemadhi.
Veliaj: Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani. Ai u ka shprehur ngushëllime familjes, për këtë ngjarje tragjike.
“Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur”, shkroi Veliaj në rrjetet sociale.
Guvernatori Sejko: Vdekja e Presidentit Nishani, humbje e madhe
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko nëpërmjet një mesazhi ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani shprehet se ndarja e parakohshme e Nishanit nga jeta është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare.
“Me hidhërim të thellë mësova sot për largimin e parakohshëm nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, bashkëpunëtorët, kolegët dhe miqtë!
Vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare, të cilave ai u shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash. Prehu në paqe President Bujar Nishani!”, u shpreh Sejko.
Ambasada amerikane: Do mbahen mend kontributet e tij
Ambasada amerikane në Tiranë shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
“Jemi të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. I shprehim familjes së tij ngushëllimet tona të përzemërta. Kontributi i tij për Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër do të mbahen mend nga bashkatdhetarët, bashkëpunëtorët dhe partnerët e shumtë”, u shpreh ambasada amerikane në një postim në rrjetet sociale.























