Ballina Flash

Kapiten Pellegrini fitoren ua kushton tifozëve, Kumbulla feston me flamurin shqiptar

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Roma ngriti mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” trofeun e UEFA Conference League.

Kapiteni Lorenzo Pellegrini, ua kushtoi këtë trofe mbështetësve të klubit për besnikërinë e tyre ndër vite.

“Dua të them vetëm një falenderim të madh për të gjithë ata”, tha mesfushori në intervistën pas ndeshjes. “Ne i kthyem vetëm një pjesë të vogël të asaj që na kanë dhënë gjatë sezoneve të fundit dhe këtë vit”, tha ai.

“Vetëm shikoni ata”, tha Pellegrini i mahnitur ndërsa stadiumi i Tiranës vazhdonte të gjëmonte pas vërshëllimës së fundit të arbitrit.

Ndërsa një mbrëmje e veçantë ka qenë e sotmja edhe për lojtarin shqiptar Marash Kumbulla, i cili e festoi fitoren e UEFA Conference League duke valëvitur flamurin shqiptar.

“Ndihem shumë i emocionuar për finalen në Tiranë me Romën, në stadium ishim të gjithë së bashku. Nuk kam fjalë ta përshkruaj”, tha mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.

“Nuk mund të them se kisha frikë, por e ndjeja shumë ndeshjen. Kam luajtur me kombëtaren në këtë stadium, por edhe me Romën ishte shumë bukur dhe nuk kam fjalë për këtë ndeshje”, u shpreh Kumbulla.

“Kjo është dita më e lumtur e jetës time. Nuk kishte gjë më të bukur se sa të festoja me tifozët shqiptarë në këtë stadium. E kishim pritur shumë këtë ditë dhe shpresojmë të vazhdojmë me suksese të tjera”, tha Kumbulla.

Më pas i pyetur për faktin se Mourinho ka deklaruar se Kumbulla do të qëndrojë edhe sezonin tjetër në Romë, mbrojtësi i Kombëtares u shpreh se, “ndihem mirë te Roma. Dua që të vazhdojmë me një tjetër sezon ku të bëjmë mirë. Trajneri beson tek unë dhe shpresoj të kem minutat e mia”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUSI – Moska bën thirrje për lehtësimin e sanksioneve në këmbim të lirimit të anijeve me grurë
Artikulli tjetërParashikimi i motit, 26 maj 2022