TIRANË, 25 maj/ATSH/ Tirana është mbushur ditët e fundit me tifozë të shumtë nga Italia dhe Holanda, në kuadër të ndeshjes së UEFA Conference League “Roma” – “Feyenoord”, që do të luhet sot në mbrëmje në kryeqytet.
Tifozët nga të dy vendet i kanë shfrytëzuar këto ditë jo vetëm për ndeshjen, por edhe për të eksploruar pikat turistike të Tiranës.
Ata janë vendosur në hapësira të ndryshme të kryeqytetit për të ndjekur ekipet e tyre. Tifozët holandezë kanë në dispozicion zonën te Pedonalja, italianët Amfiteatrin e Liqenit Artificial, ndërsa tifozët shqiptarë sheshin “Skënderbej”.
Ndërkohë që në të gjitha akset vihet re prania e punonjësve të policisë, të cilët po kujdesen për ruajtjen e qetësisë publike si dhe për mbarëvajtjen e ndeshjes, që pritet të ketë jo vetëm një numër të madh tifozësh por edhe incidente. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që të bllokojë rrugët për garantimin e sigurisë gjatë finales mes “Romës” dhe “Feyenoord”-it.
Në fotot e publikuara nga ATSH-ja, tifozët shihen në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa janë në pritje të ndeshjes që do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Air Albania”.
/k.s/r.e/























