Ballina Aktualitet

Kim: Koha e duhur për të garantuar votën e diasporës

TIRANË, 24 maj/ATSH-Maela Marini/ Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se “tashmë është koha e duhur që të merren hapa të nevojshëm për të garantuar votën e diasporës”.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e organizuar sot nga KQZ dhe OSBE me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani!”, ambasadorja Kim tha se “është koha e duhur që të merren hapa të nevojshme që të sigurohemi që anëtarët e diaporës që kanë të drejtë të votojnë, ta ushtrojnë atë të drejtë”.

“Është mirë të shohësh përfaqësues nga qeveria, partitë politike, shoqëria civile e komuniteti ndërkombëtar, të angazhuar dhe duke punuar së bashku për të shqyrtuar sfidat dhe mundësitë për shtrirjen e të drejtës së votës për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”, tha Kim.

Sipas ambasadores Kim, “demokracia përcaktohet nga proceset zgjedhore, ndaj edhe garantimi që zgjedhjet të jenë të drejta është i rëndësishëm”.

“Zgjedhjet e vitit 2021 shënuan një ngjarje vendimtare që ishte rikthimi i opozitës në Kuvend. Zgjedhjet e 25 prillit 2021 ishin të mira, por nuk ishin perfekte. SHBA mirëpresin mundësi si kjo e sotmja, por edhe në ditët e ardhshme për të punuar me aktorë të Kuvendit me partnerë që ndajnë mendime të ngjashme dhe me institucione të qeverisë shqiptare për të adresuar problemet e vazhdueshme në zgjedhje, përfshirë mungesën deri më tash të së drejtës së diasporës për të votuar, një e drejtë që parashikohet nga Kushtetuta”, tha ajo.

“Ne nxisim fuqimisht punën serioze dypartiake për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet më të larta”, u shpreh Kim. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja kallëzon në SPAK zyrtarë të lartë të Agjencisë së Trajtimit të Pronave
Artikulli tjetërLea Ypi për ANSA-n: Liria e vërtetë është dinjiteti i njeriut