TIRANË, 24 maj /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi sot projektrezolutën “Për vlerësimin e punës së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare AKEP për vitin 2021”.
Relatori i çështjes Laert Duraj tha se vlerësohet puna e bërë nga AKEP për Marrëveshjen Rajonale të Roaming, e cila filloi nga muaji Korrik i vitit 2021. Duraj e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm në fushën e komunikimeve elektronike.
Po ashtu, ai vlerësoi impenjimin e bërë nga AKEP në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit, bashkëpunimin e tij me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si edhe me Autoritetin e Konkurrencës etj.
“Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2022 rekomandon që AKEP të angazhohet veçanërisht në këto aspekte të veprimtarisë së tij, të bashkëpunojë edhe më ngushtë me autoritetin e Konkurrencës për të shmangur krijimin e një tregu oligopol, të ndjekë zbatimin e Rregullores për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Përdoruesve të Shërbimeve elektronike publike”, theksoi Duraj.
Pas diskutimeve, sugjerimeve dhe komenteve, në cilësinë e komisionit përgjegjës, anëtarët e komisionit e miratuan me votë këtë projektrezolutë. /j.p/























