SOFJE, 18 maj /ATSH-BTA/- Duke folur në emër të koalicionit qeverisës në një konferencë për masat që parashikojnë kompensim për inflacionin e lartë, kryeministri Kiril Petkov tha se kur bëhet fjalë për standardet e jetesës së popullit bullgar dhe frenimin e krizës, ne qëndrojmë të bashkuar.
Petkov theksoi se masat janë një mundësi për të mbështetur shtresat që janë në rrezik më të madh nga ndikimi i inflacionit, si dhe familjet e reja me fëmijë. “Vëmendje e veçantë i është kushtuar karburanteve dhe energjisë elektrike”, tha Petkov.
“Masa e parë është mbështetja për familjet me fëmijë. Kjo është një masë afatgjatë, sipas së cilës lehtësimi i taksave për fëmijët do të rritet në 6000 leva në vit, nga 4000 leva që janë aktualisht”, tha Petkov.
“Masa e radhës është azhurnimi i pensioneve me mesatarisht 20% nga 1 korriku. Të gjithë pensionistët do të marrin edhe pagesën shtesë për koronavirusin prej 60 leva”, tha Petkov, duke shtuar se në këtë mënyrë pensioni minimal rritet në 467 leva, nga 370 leva.
Kryeministri vuri në dukje se në dymbëdhjetë muajt e fundit rritja arrin në 167 leva, ose 56%.
Petkov theksoi se kur GERB qeveriste Bullgarinë në dymbëdhjetë vitet e fundit, pensioni minimal u rrit me 100 leva. “Tani kemi një rritje prej 167 leva në vetëm një vit”, tha ai.
Pjesa më e madhe e masave, të cilat arrijnë një vlerë totale prej 2 miliardë leva, do të hyjnë në fuqi në përditësimin e buxhetit të planifikuar për miratim në qershor.
Ministri i Financave Assen Vasilev tha se qeveria ka disa skenarë për rritjen e inflacionit.//a.i/













