Ballina Aktualitet

Shehaj: Ligji i investimeve strategjike antikushtetues, interpelancë me Kryeministrin

TIRANË 17 maj /ATSH-I.Vata/ Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka reaguar sot në lidhje me ligjin për investimit strategjike.

Në një deklaratë për mediet, Shehaj u shpreh se Partia Demokratike po ndjek, sipas tij, me vëmendje dhe shqetësim të madh aksionin e koordinuar dhe kriminal të qeverisë për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave në bregdet.

“Çdo ditë, qytetarët shqiptarë po njihen me fakte tronditëse se si bregdeti po grabitet nga ministrat, zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste dhe biznesmenët ortak të qeverise.Mekanizmi kryesor që po bën të mundur këtë vjedhje të përmasave gjigande është ligji antikueshtetues i investimeve strategjike. Në fakt, ky ligj do duhej të quhej ndryshe.  Do duhej të quhej ligji i ministrave strategjikë. Sepse deri tani ka prodhuar vetëm ministra me hotele dhe resorte dhe asnjë investime strategjike nga kompanitë e njohura të turizmit ndërkombëtar. Shtatë vjet pas miratimit të tij nga mazhoranca socialiste, të gjithë duhet të bëjmë një pyetje. Cilët janë investitorët që solli në Shqipëri ligji i investimeve strategjike? Cilat janë brandet e njohura të turizmit që po investojnë sot në bregdetin shqiptar?  Ka vetëm një përgjigje; ministrat dhe klientët e Edi Ramës. Investitorët strategjikë që solli ky ligj janë bashkëshorti i ministres së Jashtme, kushërinjtë e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, dhe grushti i përhershëm i miqve të Edi Ramës. Janë këta që po përvetësojnë pronat dhe plazhet e bregdetit shqiptar.J anë këta që po marrin favoret që vijnë me statusin e investitorit strategjik, si falje taksash, ndërtim infrastrukture me paratë e qytetarëve, përvetësim i pronës publike, etj. E madje për llogari të këtyre qeveria po shpronëson pronat e qytetarëve në shkelje flagrante të Kushtetutës”, u shpreh ai.

Shehaj shtoi se përballë këtyre fakteve, Partia Demokratike ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama në lidhje me shpalljen investitorë strategjikë të familjarëve të ministres Xhaçka. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPici në Vorë: Shërbimet e Gjendjes Civile online, vetëm një zyrë me shërbim fizik
Artikulli tjetërAKU: Mbi 600 inspektime për sigurinë ushqimore