Ballina Flash

Finalizohet “Çekreza” në Tiranë, arrestohen 4 persona

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Çekreza”, teksa ka vënë në pranga 4 autorët e dyshuar për vjedhjen me dhunë të varëses së floririt të një shtetaseje.

Ndërsa, në banesën e njërit prej të arrestuarve, Policia ka gjetur 23 kg kanabis, 27 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, në formë çokollate, një peshore elektronike, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me varësen e floririt dhe 2 automjete të cilat dyshohet se 4 autorët i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se 4 persona i kishin vjedhur me dhunë varësen një shtetaseje, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Çekreza”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve: R. G., 24 vjeç, B. A., 29 vjeç dhe B. M., 29 vjeç, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim;    R. K., 26 vjeç, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në rrugën “Berisha”, në Çekrezë, i kanë vjedhur me dhunë varësen e floririt, shtetases E. C.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 23 kg kanabis, 27 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa në formë çokollate dhe një peshore elektronike.

Gjithashtu u sekuestruan 2 automjete të cilat dyshohet se autorët i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit, 4 aparate celulare dhe varësja e floririt që dyshohet se i kanë vjedhur shtetases E. C.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAKU, mbi 160 inspektime në subjektet tregtare
Artikulli tjetërAkuza e Agron Shehajt për “Manastir Resort”, Gjiknuri: Ta provojë gjykata, përndryshe dëmshpërblim për cenim imazhi