Ballina Ekonomi

Rritja e sigurisë dhe eficiencës në Kaskadën e Drinit

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Mbështetur nga Banka Botërore dhe nga partnerë të tjerë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare realizoi projektin që synon rritjen e sigurisë së digave, rritjen e jetëgjatësisë së hidrocentraleve, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në vend.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja bën të ditur se investimi i shërben optimizimit të Kaskadës duke rritur prodhimin me rreth 20 GWh në vit. Ky projekt rrit jetëgjatësinë e veprave në Kaskadën e Drinit duke siguruar prodhimin e energjisë së pastër për edhe 30 vjet duke mbështetur kështu nevojat e zhvillimit ekonomik e social të vendit në të ardhmen.

Me implementimin e këtij projekti, KESH thotë se janë rehabilituar portat shkarkuese të HEC-eve të Kaskadës së Drinit, është bërë rinovimi elektromekanik dhe instalimi i sistemit të ri të monitorimit, si dhe konsolidimi dhe sistemimi i bazës së digës Koman.

Përmes këtyre ndërhyrjeve, sipas KESH-it, janë arritur rezultate të kënaqshme për sigurinë e Kaskadës dhe eficiencën e prodhimit të energjisë, duke reduktuar ndjeshëm humbjet e energjisë për shkak të rrjedhjeve të pa kontrolluara nga portat , deri në 11 GWh energji vjetore.

Ndërkohë është ngritur një plan emergjencash me sistem alarmi për menaxhimin e situatës në rast përmbytjesh.

Prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri sigurohet në masën gati 99% nga burimet hidrike. Kaskada e Drinit është një nga asetet strategjike të Shqipërisë që prodhon mbi 75 % të energjisë elektrike në vend.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Borrell: Optimist për paketën e re të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë
Artikulli tjetërFinalizohet operacioni “Couple 1”, në pranga 2 shtetas