TIRANË, 6 maj /ATSH/ Norma interesit të bonove të Thesarit, shënoi rënie në ankandin e radhës që u zhvillua këtë javë.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.95%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 2.22% i ankandit të mëparshëm.
Në ankand u shitën 9.4 miliardë lekë ndaj kërkesës totale që u paraqit në vlerën 12.4 miliardë lekë.
Sipas BSH-së, norma mesatare e thjeshtë e interesit të Bonove të Thesarit, e pranuar në ankand rezultoi 2.15%, ndjeshëm më i lartë se ai mesatar i ponderuar prej 1.95%. Kjo tregon se yield-i i ponderuar është ndikuar ndjeshëm nga një ose pak pjesëmarrës me vlerë të lartë të kërkesës së pranuar. Zakonisht, aktorët me peshën kryesore në tregun e Bonove janë bankat tregtare që kanë pjesë të madhe tregu në depozita dhe zotërojnë sasi të mëdha likuiditetesh të lira, që investohen në tregun primar të bonove dhe obligacioneve. /j.p/r.e/















