TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla deklaroi sot se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE dhe se Europa do të bëhet një projekt më i bukur kur kufijtë politikë do të afrohen me kufijtë gjeografikë e kulturorë të saj.
Nikolla ishte e pranishme në konferencën e 18-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, që u zhvillua në Tiranë. Kjo Konferencë përkon me përfundimin e Presidencës së Shqipërisë në këtë Nismë.
Kryetarja Nikolla në fjalën e saj, vlerësoi potencialet e larta zhvillimorë dhe kulturore të rajonit Adriatiko-Jonian dhe u ndal tek procesi i integrimit në BE të pesë vendeve pjesëmarrëse të Nismës: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat janë në stacione të ndryshme drejt integrimit në BE.
“Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE. Megjithatë, duhet thënë se procesi i integrimit evropian perceptohet në mënyra të ndryshme. 27 vendet anëtare dhe organet e Bashkimit flasin për “procesin e zgjerimit”. Ndërkohë, vendet tona flasim për “procesin e integrimit evropian”. Termat përshkruajnë të njëjtin proces, të parë nga sponde të ndryshme. Por druaj se këto perceptime të ndryshme, i kanë shtyrë disa vende anëtare drejt vlerësimit të Ballkanit Perëndimor si një problem i shtuar i Bashkimit Evropian. Ballkani Perëndimor është një rajon me rrënjë, identitet, vlera dhe aspirata evropiane. Teknikalitetet e procesit të zgjerimit, nuk duhet të harrojmë se strategjikisht vendet tona e kanë vendin në familjen evropiane. Po hyjmë në dekadën e katërt të valës së demokratizimit në kontinent dhe kufijtë gjeografikë e kulturorë të Europës, janë ende larg kufijve politikë të saj, Bashkimit Europian. Europa do të bëhet një projekt më i bukur kur kufijtë politikë do të afrohen me kufijtë gjeografikë e kulturorë të saj”, tha ajo.
Nikolla shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vendosur të katër vendeve anëtare të Nismës: Kroacisë, Greqisë, Italisë dhe Sllovenisë, dhe të parlamenteve të tyre, për integrimin evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.
Në përfundim, Kryetarja Nikolla nënvizoi se ka ardhur koha të shqyrtojmë e vendosim për pranimin e Kosovës në këtë Nismë.
/a.a/r.e/






















