Ballina Ekonomi

Nga 1 qershori tarifa e tahografit ulet me 60 %

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Nga 1 qershori tarifa e tahografit, pajisja, e cila montohet në bordin e një pjese të mjeteve rrugore dhe shërben regjistrimin e kohës së punës dhe shpejtësisë së lëvizjes së mjetit, do të ulet me 60 %.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bën të ditur se tarifa e kartave të tahografit nga 1 qershori 2022, bëhet 40 euro nga 100 euro që kushton aktualisht.

Ndërkohë, DPSHTRR thotë se ky vendim është një lajm i mirë edhe për të gjithë transportuesit kosovarë, pasi ulet edhe koha e dorëzimit nga mbi 30 ditë, në 10 ditë, falë rikonceptimit të shërbimit dhe praktikës së prodhim/dorëzimit.

Sipas DPSHTRR-së, nga ky vendim përfitojnë rreth 5 mijë qytetarë ndërsa llogaritet që 2 milionë euro në vit iu rikthehen transportuesve rrugorë nga ulja drastike e tarifës dhe nga rritja e ditëve të punës për përfituesit.

“Bëhemi vendi me tarifën më të ulët në rajon dhe Evropë. Franca e ka këtë tarifë 65 euro, Maqedonia e Veriut 70 euro, Mali i Zi 60 euro, Sllovenia 55 euro, Irlanda 65 euro, Greqia 150 euro”, informoi DPSHTRR.

DPSHTRR thotë se kjo ulje vjen falë fuqizimit të Automotorizimit Shqiptar dhe se diferenca e kostos përballohet nga të ardhurat e entit nga shërbimet risi.

“Vizioni ynë është të ulim kostot për sektorët jetik të transportit rrugor që janë shumë të ekspozuar me krizën globale të çmimeve që pason fazën e zgjatur të pandemisë nga COVID-19”, deklaron DPSHTRR.

/a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVlera e bitcoin bie nëntë për qind
Artikulli tjetërKrifca: Orientim drejt eksporteve bujqësore në tregje të sofistikuara