Ballina Flash

“Mjeshtër i Madh” për çiklistët Burhan Berisha dhe Agron Huqi

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Presidenti Meta vlerësoi sot me titullin “Mjeshtër i Madh” dy çiklistët e shquar shqiptarë Burhan Berisha dhe Agron Huqi.

Burhan Berisha u vlerësua me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar dhe rezultatet e larta të arritura si çiklist kampion i KS ‘Dinamo’ dhe fitues i shumë garave të çiklizmit në Shqipëri. Me mirënjohje ndaj gjyqtarit profesionist të dalluar në garat kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Agron Huqi u vlerësua me motivacionin: “Me mirënjohje për rezultatet e suksesshme në sportin e çiklizmit, të arritura në aktivitetet kombëtare, ku është dalluar si çiklist i nivelit të lartë me ekipin e KS ‘Partizani’, e më pas, duke spikatur edhe si gjyqtar në garat e çiklizmit për përkushtimin dhe korrektësinë e tij”.

Në fjalën përshëndetëse, në ceremoninë e veçantë të dekorimit, ku merrnin edhe pjesë personaliteteve të shumta të sportit, Presidenti Meta u shpreh se çiklizmi është quajtur me të drejtë një sport popullor, i cili gjatë dekadave të fundit ka mbledhur sportistë amatorë edhe profesionistë, duke u bërë ndër disiplinat më të ndjekura.

“Vlerat e këtij sporti të guximshëm, por dhe të bukur, janë një mjet i rëndësishëm, për të forcuar e shëndetit, për të gjitha moshat, por edhe për të njohur sa më mirë vendin edhe natyrën”, tha Meta.

Berisha është fitues i shumë garave dhe rretheve çiklistike, duke u bërë një nga kampionët e shquar në historinë e këtij sporti. Në vitin 1973 fiton vendin e parë në klasifikimin individual, duke vazhduar dhe vitet e tjerë me fitore të shumta. Ai për rezultatet e larta, në vitin 1988 renditet në 10 sportistët më të mirë të vitit dhe në vitin 1999 shpallet ‘Nderi i Sportit të Çiklizmit’. Berisha ka drejtuar për disa vite Federatën Shqiptare të Çiklizmit dhe për 27 vite vazhdon të kontribuojë si gjyqtar i garave të çiklizmit, pranë ‘Federatës Shqiptare të Çiklizmit’.

Agron Huqi është gjithashtu një çiklist shumë i njohur dhe i talentuar i Klubit Sportiv Partizani dhe i Ekipit Kombëtar. Ai është çiklist i shumë i sukseseve që në karrierën e tij mban titujt kampionë dhe rekord kombëtar, fitues i ‘Kupës së Republikës’ dhe ‘Medaljes së Artë’ në spartakiadën kombëtare. Ai është fitues i garës me kronometër në turneun çiklistik në vitin 1985, si dhe është dalluar gjithmonë në garat e rezistencës.

Për sukseset e tij është nderuar me tituj e medalje nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, klubi sportiv ‘Partizani’ dhe mban Titullin ‘Mjeshtër i Merituar i Sportit’.

“Përfitoj nga rasti për të falënderuar familjet e këtyre dy personaliteteve, që i kanë ndjekur dhe i kanë inkurajuar gjithmonë  me përkushtim e tyre dhe në sakrificat që kanë bërë së bashku”, u shpreh Meta.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSi luftohet qarkullimi i dobët i gjakut?
Artikulli tjetërKrifca: Nxisim eksportet e bimëve mjekësore dhe fruta-perimeve