TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga rruga e re e Parkut të Apolonisë.
“Mirëmëngjes dhe me rrugën e re të Parkut magjik të Apolonisë, tanimë një bukuri e rrallë lehtësisht e arritshme, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Me një gjatësi prej 18 km, kjo rrugë lidh zonën urbane të qytetit të Fierit me plazhin e Semanit, duke i dhënë një impuls të rëndësishëm zhvillimit të turizmit bregdetar.
Ky aks rrugor i vjen në ndihmë 17 mijë banorëve të 20 fshatrave të kësaj zone.
E themeluar rreth fillimit të shek. IV para Krishtit, Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon.
Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve.
Gërmadhat e Apolonisë u zbuluan në fillim të shek. XIX.
Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10 % e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
/r.e/























