TIRANË, 15 prill /ATSH – I. Vata/ Ambasadori gjerman Peter Zingraf deklaroi sot se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave me BE.
Në një intervistë televizive, ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf komentoi vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Berlin ku u takua me kancelarin gjerman Olaf Sholtz.
“Më duhet të them në radhë të parë se takimi mes Kryeministrit Rama dhe Kancelarit Federal Scholz ka qenë takimi i parë me një kryetar qeverie nga rajoni dhe ishte koha që të konfirmohej edhe njëherë sesa i rëndësishëm është ky rajon për qeverinë federale. Gjithashtu ishte momenti i duhur për të thënë që të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë tanimë për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Gjermania ka dashur të falenderojë edhe Shqipërinë për faktin që ajo është në anën e partnerëve perëndimorë si anëtar i NATO-s, si anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, pra si partner i ngushtë i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë mendoj që Shqipëria në këtë moment nuk mund të bëj diçka konkrete për shpejtimin e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, por ajo që mund të bëj është të vijojë më tej me reformat e saj. Ne dëshirojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të qëndrojnë së bashku për nisjen e negociatave”, tha ai.
Në lidhje me qëndrimi e Gjermanisë për “Ballkanin e Hapur”, ambasadori gjerman Peter Zingraf u shpreh se do të mbështesin bashkëpunimin rajonal.
“Kjo lloj mbështetje duhet të vijojë në kuadër të iniciativës së ndërmarrë nga ish-kancelarja Merkel, të asaj që ne sot e quajmë Procesi i Berlinit. Të gjitha këto iniciativa do duhet të mbeten të hapura dhe të gjitha shtetet anëtare do duhet të punojnë në mënyrë aktive për tërheqjen e vendeve të rajonit në Procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit, në takimin e Sofjes janë përcaktuar pra dhe detyrimet e vendeve të rajonit dhe kjo mendoj se duhet të jetë rruga”, shprehet ai.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ambasadori gjerman Peter Zingraf u shpreh se “këto zhvillime i kam parë në njëfarë mënyre, me keqardhjen që zakonisht i shikojnë miqtë e vendit tuaj. Pikërisht për faktin që opozita që është kaq e nevojshme për vendin, për momentin është e përçarë”.
“Unë do t’i uroja vetë Partisë Demokratike të ribashkohet, të bëhet e fortë sërish, efektive, që në procese të cilat ajo është e përfshirë dhe do të përfshihet, të jetë transparente dhe në përputhje me shtetin ligjor sikundër të gjejë edhe një udhëheqës të orientuar për nga e ardhmja, ku të flitet rreth përmbajtjes dhe jo personave”, theksoi ai.
/r.e/












