TIRANË, 11 prill /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot në Kuvend se, “Këshillimi Kombëtar, është një risi që duhet të kthehet në një praktikë pune për ne”.
“Këshillimi Kombëtar, na mundëson që të kalibrojmë më mirë punën tonë”, tha Xhaçka
Ministrja u shpreh se, “mbi 500 mijë qytetarë dhanë me seriozitet mendimin e tyre”, teksa shtoi se, “59 % e shqiptarëve mbështesin nismën Ballkani i Hapur”.
Xhaçka u shpreh se, “Ballkani i Hapur është një vizion i ri për të ardhmen që ngrihet mbi konfliktet e të shkuarës. Na ndihmon të trajtojmë në mënyrën më efikase çështjet ende të pazgjidhur në rajon”.
“Ballkani i Hapur është nismë në favor të askujt tjetër, veç shqiptarëve e rajonit”, theksoi ajo.
Xhaçka tha se, “ka dy arsye kryesore përse ne po punojmë kaq fort për Ballkanin e Hapur”.
“Kjo nismë bën më efikase proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit”, shtoi ministrja, teksa theksoi se, “dimensioni strategjik i saj bën që problemet të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe integrimit”.
“Agresioni ilegal rus në Ukrainë, i përforcon arsyet për të punuar për këtë nismë. Vetëm konsolidimi i bashkëpunimit rajonal mund të garantojë paqen në rajon”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka replikoi edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha duke i thënë se, është e kaluara e hidhur e këtij vendi.
“Berisha është shëmbëlltyrë e vdekjes politike që i ulërin dëshpërimi i vulës së fatit të vet”, tha Xhaçka.
Xhaçka iu drejtua Berishës duke i thënë se, “vulën ta ka vënë aleati ynë strategjik. Fatin e ke shkruar vetë me duart e përgjakura të pushtetit tënd politik”.
Sa i përket akuzave të Berishës se bashkëshorti i saj ka përfituar toka në bregdet, Xhaçka u shpreh se, “Berisha mashtrues! Bashkëshorti im s’ka përfituar asnjë cm2 tokë nga ky shtet. Bashkëshorti im është në pronën e tij, me investimin e vet privat. Dhe si për çdo biznesmen që punon me djersë e riskon në këtë vend, unë jam krenare për burrin tim, po gruaja juaj, është krenare për ju?”.
/r.e/























