Ballina Aktualitet

PS mbledh Kongresin, ja çfarë pritet të diskutohet

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Partia Socialiste mbledh sot Kongresin në një format ndryshe, duke i lënë më tepër hapësirë grupeve të interesit.

Kryeministri Edi Rama publikoi mëngjesin e sotëm një foto nga selia e PS-së, me në sfond imazhin e liderit historik të PS-së, Fatos Nano.
“Mirëmëngjes dhe me ndjesën që po ju zgjoj si gogol në këtë ditë pushimi, teksa PS e ka ditë kongresi, uroj për të gjithë ju një fundjavë të qetë”, tha Rama.

Kongresi do të nisë punimet në orën 09:30 dhe në pjesën e parë do të jenë 5 panele, konkretisht:  Rinia, Inovacioni, Fëmijët; Rajoni, Europa, Siguria; Bujqësia dhe Siguria Ushqimore; Energjia, Mobiliteti, Mjedisi; Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale.

Ndërkohë pjesa e dytë e punimeve do të nisë rreth orës 12:00, me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, mbi pjesën organizative dhe politike të PS-së.

Nga ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, në Kongres do të paraqiten edhe rezultatet e procesit të Këshillimit Kombëtar dhe objektivat.

Ditmir Bushati do të flasë mbi hapjen dhe fuqizimin e Partisë Socialiste, ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla mbi përfaqësimin e qytetarëve dhe përgjegjësitë e mazhorancës.

Në vijim të këtij sesioni pritet fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Ndërkohë punimet e Kongresit do të vijojnë me prezantimin e paketës së ndryshimeve në Statutin e PS-së dhe prezantimin e platformës së re digjitale.

Kongresi pritet që të vendosë ndërprerjen e mandatit për krerët aktualë të PS në degët e rretheve, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja që do të mbahen në javët e para të majit./m.m/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQyteti antik i Butrintit pret turistët e parë nga Italia, Gjermania e Franca
Artikulli tjetërMOSKË – Kremlini mohon raportimet për sulme ruse në Kramatorsk