TIRANË, 6 prill /ATSH/ Ministri i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar, Michael Ellis MP ndodhet sot në Shqipëri dhe zhvilloi një takim me gazetarë dhe gazetare, drejtuese mediesh dhe ekspertë që punojnë për llogaridhënien dhe transparencën.
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë lirinë e shtypit në Shqipëri dhe këdo që angazhohet për t’i dhënë zë publikut dhe mban institucionet përgjegjëse.
“Dija është pushtet dhe gazetaria ndihmon në fuqizimin e qytetarëve duke u dhënë njohuritë që përndryshe nuk do të kishin. Duke ditur se çdo shoqëri ka ndasitë e veta, presim nga gazetarët të ndihmojnë t’i bëjnë njerëzit bashkë, duke dhënë një vlerësim të drejtë të fakteve, duke reduktuar perceptimin e dallimeve”, tha ministri i Mbretërisë së Bashkuar.
“Është shenjë e lirisë së shoqërisë të përfshijë pakicat, të refuzojë ndasitë si dhe të largohet nga urrejtja dhe paragjykimet”, theksoi ai.
/r.e/












