TIRANË, 6 prill /ATSH – I. Vata/ Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi përfundoi vizitën zyrtare 2-ditore në Athinë ku pati takime me tre ministra si dhe me kryetarin e bashkisë së Athinës.
“U takova me ministrin për Emigracionin dhe Azilin, me ministrin e Brendshëm, ministrin e Policisë apo ministrin e Mbrojtjes së Qytetarit, ku kemi biseduar gjerësisht për sfida të përbashkëta që ka ministria e Brendshme e Shqipërisë me secilën nga këto ministri, por mbi të gjitha dhe për çështje që shqetësojnë komunitetin shqiptar që tashmë po integrohet gjithmonë dhe më tepër në jetën e Greqisë”, u shpreh ai.
Ministri Çuçi sqaroi se nga ministri për Emigracionin dhe Azilin mori premtimin se komuniteti shqiptar do të marrë një trajtim të veçantë për sa i takon lejeve të qëndrimit edhe në përgjithësi për gjithë trajtimin në zyrat e emigracionit në Greqi.
“Vendosëm një komunikim direkt për çdo shqetësim të shqiptarëve nëpërmjet ambasadores sonë në Athinë”, tha ai.
Në vijim, Çuçi tha se me ministrin për Mbrojtjen e Qytetarit diskutuan gjerësisht për të vendosur kanale të drejtpërdrejta komunikimi në mënyrë që ta intensifikohet edhe më tepër bashkëpunimi policor për të bërë operacione të përbashkëta e për të adresuar shumë më mirë luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Me ministrin e Brendshëm folëm për të gjithë sfidat e përbashkëta që kemi në lidhje me funksionimin e bashkive apo të qeverisjes vendore nga secilën nga vendet tona. Gjithashtu, me ministrin e Brendshëm ramë dakord që strukturat përkatëse të ministrisë me kryetarët e bashkisë, sidomos me kryetarët e bashkive që janë kufitare me Greqinë të konkurrojmë së bashku për të përfituar shumë fonde strukturore nga BE. Ishte një vizitë intensive por shumë e frytshme”, tha ai.
Po ashtu, Çuçi shtoi se “me kryetarin e bashkisë së Athinës, mik tashmë edhe të kryeqytetit tonë dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, biseduam dhe sigurisht se ai vazhdon t’i qëndrojë idesë se shqiptarët duhet të integrohen gjithmonë e më tepër dhe janë një pjesë e dobishme tashmë e Athinës”.
“E falënderova për gjithçka ai ka bërë në lidhje me këtë çështje si dhe më të gjithë përpjekjet që po bënë për të ngritur një qendër kulturore shqiptare në mes të Athinës dhe çdo përpjekje që ai po bënë që shqiptarë të mos ndihen më emigrant po të ndihen si pjesë përbërëse e shoqërisë së Athinës”, tha në fund Çuçi. /j.p/





















