Ballina Ekonomi

Balluku: Anije me qira në Triportin e Vlorës për prodhim të energjisë, marrëveshja me SHBA-në

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë theksoi se, Shqipëria ka marrë 2 anije me qira të cilat do të vendosen në Triportin e Vlorë dhe do të shërbejnë për prodhimin e energjisë elektrike.

“Kjo i jep një frymëmarrje, në aspektin që detajet do i japim në ditët në vijim kur të kemi anijet e ankoruara nga Triport, me mbështetje dhe të ambasadores Kim, kemi arritur marrëveshje për të marr me qira 2 anije të prodhimit të energjisë elektrike, deri sa TEC të vihet në punë, janë termocentrale lundruese dhe kjo është një arritje e madhe, se do na garantojë edhe gjatë periudhës së verës që ne të kemi një pavarësi energjetike që do të prodhohet nga këto, sigurisht e kufizuar”, tha Balluku.

Balluku bëri me dije se do të ndërtohet një tubacion gazi nga Vlora në Fier.

“Ndërtimi tubacionit të gazit nga Vlora në Fier, pra dikur mendoheshe që do kishim nga Fieri në Vlorë, por është parashikuar ndërtimi i një tubi me 2 kahe, i cili në të ardhmen jo përdoret jo vetëm nga gazsjellësi TAP, por do të ketë mundësi që të injektojë gazin e lëngshëm në gazsjellësin TAP, kjo është pjesa më fizibël i këtij projekti që amerikanët janë më të interesuarit dhe që do të ketë patjetër sukses”, theksoi Balluku.

Një nga anëtarët e grupit të punës, Arbër Avrami tha se kapaciteti i një prej këtyre anijeve është 114 megawat në orë.

“Jemi të lumtur që kemi përmbyllur nëpërmjet KESH këtë kontratë, që kanë ofruar një zgjidhje emergjente për prodhimin energjisë në këtë situatë do të sigurojë një siguri energjetike për 2 vjet. Kapaciteti i kësaj anije është 114 megawat në orë, sigurisht kjo kontratë do të jetë e përkohshme, do të përdoret në rastet emergjente nga KESH, do jetë një fazë tranzitore deri sa të vihet në punë TEC, shpresojmë që këto makineri të vihen në punë brenda 3 muajve, pra përkon me periudhën e verës, ku vendi ynë kërkon më shumë sasi energjie, me një çmim mjaft konkurrues, sa i përket edhe tregut aktual të bursës”, tha Avrami.

Balluku u ndal dhe tek situata hidrike në vend ku theksoi se ka patur një përmirësim ditët e fundit.

“Nga informacioni që na vjen nga drejtori i KESH mbi situatën hidrike, ka patur një përmirësim ditët e fundit, ashtu siç ishin parashikimet. Ka patur një rritje të nivelit të liqenit të Fierzës. Ne kemi vendosur përmes Komitetit që të mos prodhohet në Fierzë disa kohë, duke grumbulluar kështu të gjitha ujërat dhe shirat që kanë rënë”, tha Balluku.

Balluku theksoi se, qeveria ka garantuar që nga momenti i parë që nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, siç nuk do ketë edhe rritje të çmimit për abonentët familjarë dhe bizneset e vogla.

“Kemi menaxhuar kaskadën siç duhet, ajo është menaxhuar mirë për sa kohë nuk ka ndaluar furnizimi me energji, apo që nuk është rritur çmimi. Kemi dalë vetëm pak në import, dhe duke mos krijuar borxhe për buxhetin e shtetit”, tha Balluku.

“Në maj do kemi një tryezë me bizneset që janë lidhur me tensionin e mesëm për të diskutuar çmimet që kemi vendosur për t’i mbrojtur ata”, u shpreh Balluku.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak1677 biznese më shumë të regjistruara, në mars
Artikulli tjetërShqipëri-Kanada, marrëveshje për sigurimet shoqërore