TIRANË, 3 prill/ATSH/ Presidenti Meta dekoroi sot ekspertin e shquar të ekonomisë, prof. dr. Ahmet Cenin (pas vdekjes) me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
“Në vlerësim të kontributit të shquar në jetën akademike me publikimet dhe punimet e çmuara shkencore dhe aplikative, në fushën e tregut të punës, të punësimit e të menaxhimit. Me mirënjohje ndaj ndikimit të rëndësishëm dhënë si ekspert i menaxhimit dhe ekonomisë, duke kontribuar në drejtimin e politikave ekonomike në vend, si dhe për punën e jashtëzakonshme e të palodhur në edukimin e brezave të rinj në auditoret e universiteteve shqiptare”, thuhet në motivacionin që shoqëron këtë dekoratë.
Në fjalën e tij, Meta vlerësoi se prof. dr. Ahmet Ceni ishte miku i të gjithëve, profesori i vlerave dhe njeri me zemër të madhe. Ai ia dedikoi jetën formimit të studentëve, në auditoret e universiteteve, duke mos u kursyer në angazhimin e tij shkencor e profesional.
“Jeta e prof. Cenit ka qenë e lidhur ngushtësisht me arsimin, edukimin dhe formimin e brezave të rinj, një pasion që e ndoqi deri në fund të jetës së tij. I rritur në një familje me tradita, prof. Ceni u edukua me dashurinë për dijen dhe arsimin. Me këtë dashuri në zemër, ndoqi studimet universitare dhe ato të doktoraturës pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, për të vazhduar më tej studimet e specializuara në Ekonomi, pranë Universitetit Grenoble në Francë”, vlerësoi Meta.
Presidenti theksoi se prof. Ahmet Ceni ishte një nga pedagogët më të kualifikuar të fushës së ekonomisë, me titullin Profesor, një titull të cilin e nderoi deri në fund të jetës së tij dhe vazhdon ta nderojë në brezat e studentëve, të cilët e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje.
“Kontributi i jashtëzakonshëm, në jetën akademike të vendit, i Prof. Ahmet Ceni fillon që në vitin 1978, si pedagog në Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’, Shkodër, për të vijuar më pas, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, si pedagog dhe përgjegjës departamenti për disa vite. Kontributi i Prof. Cenit u shtri përtej universitetit edhe me marrjen e disa posteve të larta qeveritare, si Zv.Ministër në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve dhe atë të Punës dhe Çështjeve Sociale”, tha Meta.
Presidenti vlerësoi se kontributi i prof. Cenit, në jetën akademike të vendit, është konsistent, me mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ, në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit dhe të menaxhimit.
“Ai është autor tekstesh mësimore të niveleve Bachelor e Master, autor monografish, drejtues doktoratash dhe punimesh shkencore, si dhe pjesëmarrës në konferenca dhe revista të shumta shkencore brenda dhe jashtë vendit”, shtoi ai.
/m.m/j.p/













